Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Ligji anti-mafia, për të cilin kryeministri Nano është shprehur se do të funksionojë së shpejti, ka në thelb goditjen e pushtetin e pasurisë së vënë nga trafiqet dhe krimet e organizuara. Ky ligj po projektohet nga një grup pune në Ministrinë e Drejtësisë.
Megjithëse ka tre muaj që po punohet sipas një modeli të ligjit italian në këtë ministri sot nuk konfirmohet se kur do të dërgohet në parlament ky ligj. Ndërkohë kryetari i komisionit parlamentar për Rendin, Neritan Ceka sqaron, se ligji është parashikuar të miratohet në Shkurt dhe të hyjë në fuqi në muajin Mars.
Neritan Ceka:- “Esenca është sekuestrimi i të gjithë pasurive të krijuar në mënyrë të paligjshme nëpërmjet veprimtarive kriminale. Synimi i këtij ligji është të themi të dekurajojë të gjithë ata që duan të merren me veprimtari të tilla, por njëkohësisht t’i heqë edhe bazën ekonomike të gjithë atyre strukturave, të cilat pasi kanë krijuar veprimtari të tilla vazhdojnë veprimtarinë kriminale, organizohen deri në kunërvenie ndaj shtetit”.
Ceka shpjegon se për zbatimin e këtij ligji do të punojë prokuroria dhe gjykata dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda./tvklan.al
Gazetare – Aranita Brahaj