24 mjete lundruese janë bllokuar gjatë një jave nga njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare, në kuadër të operacionit “siguria detare”. Policia e Shtetit bën me dije se mjetet e bllokuara janë 15 jet ski, 5 skafë dhe 4 gomone.
17 mjete lundruese janë bllokuar nga Ksamili në Vlorë, 4 janë bllokuar nga Durrësi në Shëngjin dhe 3 mjete lundruese janë bllokuar në Velipojë.
6 prej mjeteve lundruese të bllokuara janë konstatuar nga autoritetet duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë duke vënë në rrezik jetën e pushuesve. Drejtuesit e këtyre mjeteve janë ndëshkuar secili edhe me gjobë prej 100 000 Lekësh.
Drejtuesit e 18 mjeteve të tjera lundruese, krahas masës së bllokimit të mjeteve, u ndëshkuan me 10 000 Lekë gjobë për mungesë dokumentacioni.
Ndërkohë, Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare përgjatë kësaj jave iu kanë ardhur në ndihmë turistëve dhe vizitorëve në 3 raste, duke ndihmuar dhe shpëtuar 4 shtetas që kanë kërkuar ndihmë në hapësirën detare nga Ksamili në Velipojë.
Klan News