Një ngjarje e rëndë tronditi mëngjesin e sotëm familjen Markdoda në zonën e Kamzës, pasi gjyshi në mënyrë aksidentale përplasi me automjet në oborrin e shtëpisë nipin e tij 2 vjeç.
Për shkak të plagëve të marra fatkeqësisht i vogli ndërroi jetë në spital. Humbja e fëmijës së mitur ka qenë e rëndë për familjen dhe aq më tepër për gjyshin, i cili ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike.
Për emisionin “Rudina” në Tv Klan gazetari Besar Bajraktaraj ndau detaje nga ngjarja e rëndë. Sipas informacioneve të siguruara prej tij, fëmija ishte futur poshtë kamionçinës dhe kjo nuk ishte vënë re as nga gjyshi dhe as nga familjarët e tjerë. Fillimisht këta të fundit mendonin se fëmija ishte rrëzuar nga kati i dytë i banesës, por ishte policia ajo që zbardhi ngjarjen e plotë.
Besar Bajraktaraj: Janë çështje delikate që për shkak të një pakujdesie e çdo individi mund të shkaktojë rrjedhën e jetës, jo vetëm të një personi, por edhe të gjithë familjes. Në fakt dita e sotme duhet të ishte një ditë e zakonshme për familjen Markdoda në zonën e Valiasit në Kamëz. Sipas njoftimit që policia ka bërë ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:15 minuta. Ka qenë gjyshi i familjes i cili ka përplasur aksidentalisht nipin e mitur 2 vjeç i cili për pasojë ka humbur jetën në spital si pasojë e plagëve të marra. Gjyshi ka qenë në banesën e tij, e ka nisur ditën e zakonshme duke konsumuar kafen e mëngjesit në banesë dhe ka ndezur automjetin dhe më pas është kthyer në banesë. Në momentin që ka dalë ai nuk e ka parë fëmijën 2 vjeç që kishte hyrë në pjesën e poshtme të automjetit, pasi bëhet fjalë për një automjet tip “kamionçinë”. Më pas ka manovruar duke ecur pas dhe ka dalë nga banesa. Ka dalë për të mbyllur portën e shtëpisë private dhe aty janë dëgjuar thirrjet e familjarëve të tjerë pasi kishin parë fëmijën 2 vjeç të aksidentuar.
Rudina Magjistari: Në kujdesin e kujt ishte fëmija në atë moment?
Besar Bajraktaraj: Ka pasur dhe persona të tjerë në fakt, por mund të themi se ka qenë një neglizhencë e momentit, pasi fëmija ka hyrë në pjesën e poshtme të automjetit dhe nuk është konstatuar as nga familjarët e tjerë. Është një ngjarje e rëndë që familjarët fillimisht kanë menduar se ishte rrëzuar nga kati i dytë i banesës, por më pas dhe me mbërritjen e policisë është sqaruar edhe gjithë dinamika. Është tentuar që t’i jepet ndihma e parë në spital, por i vogli ka ndërruar jetë në spital.
Rudina Magjistari: Ndërkohë me gjyshin e tij, është marrë ndonjë masë nga policia?
Besar Bajraktaraj: Gjyshi ka qenë në gjendje të rënduar. Dhe sot kur është pyetur nga policia ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike.
Rudina Magjistari: A është në gjendje të lirë gjyshi tani?
Besar Bajraktaraj: Ai nuk është në gjende të lirë pasi duhet të përballet me përgjegjësi penale pasi është arrestuar nga policia, për shkaktim të aksidentit me pasoja të rënda që është edhe vdekja. Është një procedurë që policia e kryen, ndoshta më vonë do të ketë dhe një masë lehtësuese nga ana e gjykatës. Janë një sërë komponentësh që kanë ndikuar, fakti që fëmija ka ndërruar jetë ka qenë përgjegjësi e familjarëve. Ky rast është përsëritur, sepse ka pasur edhe raste të tjera. Ka pasur kategori të tilla të cilët kanë kryer aksidente të tilla./tvklan.al