Durrësi është tronditur nga një ngjarje e rëndë kriminale e ndodhur në spitalin rajonal të qytetit, rreth orës 9 e 45 min.

Vetëm pak metra larg drejtorisë së policisë. Një mjek radiolog është vrarë me armë zjarri brenda ambienteve të spitalit. Fatmir Thaçi, 52 vjeç është qëlluar me pistoletë në dhomën ku kryente vizitat me pacientët.

Anduena Llabani: “Një histori personale është kthyer në një ngjarje tragjike për të gjithë stafin  mjekëve në spitalin e Durrësit, pikërisht kjo është dhoma ku mjeku radiolog është qëlluar 6 herë me pistoletë duke ngelur i vdekur në vend.”

Autori i kësaj ngjarje është një mik i ngushte i familjes, 46 vjeçari Ali Lorja, i cili pas krimit është dorëzuar ne polici dhe ka rrëfyer versionin e tij të ngjarjes dhe motivet e këtij akti.

Kjo është dhoma ku ai po mbahet i izoluar, ndërsa pyetet vazhdimisht nga prokuroret e çështjes.

Sipas grupit hetimor autori  është i qetë dhe nuk shpreh ndjenja pendese. Rrëfimi i tij ka ndihmuar policinë të hedhë dritë mbi ngjarjen brenda 1 ore. Krimi ka për motive xhelozinë.

“Sipas të dhënave paraprake ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta. Shërbimet e specializuara të policisë në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit gjyqësor Durrës po punojnë për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarje.”

Më 7 Korrik autori ka humbur bashkëshorten e tij që punonte infermiere në këtë spital, pasi ajo i ka dhënë fund jetës duke u vetëhelmuar.

45-vjeçari përgjegjës për këtë tragjedi familjare është mjeku Thaçi. Ngjarja e rëndë ka shokuar personelin e këtij spitali. Shumë prej tyre kanë dëshmuar edhe në polici, por nuk pranojnë të flasin mbi këtë ngjarje shokuese.

Anduena Llabani: “Asnjë nga mjekët nuk pranon të rrëfejë atë çka ka parë dhe dëgjuar në momentet e ngjarjes. Jashtë kamerave ata thonë se ndjehen të traumatizuar dhe të frikësuar. Krimi është kryer larg syve të dëshmitarëve, i vetëm në dhomë, ai është qëlluar 6 herë nga autori duke mbetur i vdekur në vend.”

E ndërsa motivi është zbardhur tashmë nga policia, grupi hetimor dyshon se këto ngjarje janë përfshirë edhe persona të tjerë, të konsideruar si nxitës të krimit.

Fakte të tjera që mund të mblidhen nga dëshmitë e autorit pritet të hedhin plotësisht dritë mbi këtë krim./tvklan.al

Gazetarja Anduena Llabani