Lek Lekgjonaj, 65 vjeç, mbeti i vrarë më armë zjarri këtë të hënë nga dora e një të riu. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 12:00 në fshatin Manati të Lezhës. Viktima po merrej me punë në shtëpinë e tij të vjetër kur 17-vjeçari Florian Pervathi e qëlloi për vdekje me pistoletë.
Shkak për ngjarjen dyshohet se u bë hakmarrja. Kjo pasi siç raporton gazetarja Vera Deda, në vitin 2009, vëllai i viktimës mësohet se kishte vrarë babain e 17-vjeçarit. Menjëherë pasi e qëlloi 65-vjeçarin me pistoletë, adoleshenti u vetëdorëzua në polici.
Dy familjet e kishin pushuar si çështje mes tyre, por duket se djali i viktimës, nuk e kishte harruar. Familjet mësohet se kishin qenë dikur fqinj me njëri-tjetrin, por pas ngjarjes së vitit 2009, Lek Lekgjonaj ishte zhvendosur me banesë. Këtë të hënë ai kishte shkuar pikërisht tek shtëpia e vjetër për t’u marrë me punë, kur u vra nga i riu.
Lezhë/Informacion paraprak
Policia e Lezhës neutralizon dhe vë në pranga në kohë rekord, një 17-vjeçar që kreu vrasjen e 65-vjeçarit, para pak minutash, në fshatin Manati të Lezhës.
Sekuestrohet dhe arma e krimit.
Shërbimet e DVP Lezhë dhe të Komisariatit të Policisë Lezhë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në fshatin Manati kishte të shtëna me armë zjarri, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes.
Falë reagimit profesional e të menjëhershëm është bërë i mundur neutralizimi dhe kapja e 17-vjecarit F. P.
17-vjeçari, rreth orës 12:00, në rrethana ende të paqarta dyshohet se vrau me armë zjarri shtetasin L. L., 65 vjeç, banues në Manati, dyshohet për motive hakmarrjeje.
Shërbimet e Policisë kanë sekuestruar dhe armën zjarrit pistoletë me të cilën dyshohet se 17-vjeçari kreu krimin.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.