Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Java politike nisi me vizitën në Tiranë të Trojkës Europiane të kryesuar nga Jorgos Papandreu. Në bisedimet me zyrtarët shqiptarë, europianët përsëritën kushtet që negociatat të kenë sukses. Stabiliteti politik, reforma zgjedhore në administratën publike, kthimi i pronave, lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar mbeten detyrat kryesore të shtëpisë për kabinetin Nano.
Paralelisht me bisedimet e trojkës në duart e shtypi, qarkulloi një raport konfidencial i BE, ku këto kushte konkretizohen dhe kritikat janë më të ashpra sidomos për rendin dhe drejtësinë. Megjithatë, qeveria shqiptarë është në pritje të hapjes zyrtare të negociatave më 31 Janar nga kryekomisioneri Romano Prodi.
Në ambientin politik shqiptar zunë vend gjatë javës takimet e liderit demokrat Sali Berisha me eksponentë të partive të djathta për unifikimin e opozitës, si dhe analizat vjetore nëpër ministri. Kryeministri Nano ka nisur të shpërndajë erën e ndryshimeve në kabinet, pas kritikave të ashpra që bëri në ministritë, që drejtojnë Mustafa Xhani, Spiro Peçi e Kastriot Islami. Mosrealizimi i planit të investimeve, shpërdorimi i fondeve publike, paaftësia për t’u shërbyer qytetarëve, ishin vërejtjet kryesore të kryeministrit Nano.
Nga ana tjetër Berisha nuk ka bindur dot Dashamir Shehin, të rikthehet në partinë e origjinës, ndërsa reformatorët e Pollos kanë kërkuar kohë për të vendosur për aleancën e djathtë. Gjatë javës shënuan progres marrëdhëniet pozitë-opozitë për reformën zgjedhore. Komisioni bipartizan miratoi me konsensus paketën ligjore, për rolin e policisë gjatë fushatave zgjedhore.
Opozita ka këmbëngulur sërish gjatë javës që sapo u mbyll për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për hetimin e veprimtarisë së Edi Ramës. Kryekomisioneri për ligjet Spartak Braho, deklaroi se kjo kërkesë është e papranueshme. Sipas Brahos, komisione hetimore ngrihen për personalitetet me imunitet parlamentar.
Java që sapo lamë pas shënoi ngritjen në nivelin më të lartë të kontakteve mes komunistëve kinezë dhe socialistëve shqiptarë. Ndërkohë që deputeti pro tajvanist Lesi, i shoqëruar nga disa socialistë, po vizitojnë Tajvanin, numri 2 i selisë rozë u shpreh, për njohjen e vetëm një Kine. Komunistët kinezë shprehën mirënjohje dhe për pritjen që u rezervoi në zyrën e tij ish-presidenti Sali Berisha.
Eurosocialistët festuan 11 vjetorin e forumit, duke theksuar, se e ardhmja e drejtimit të selisë rozë, i përket politikanëve të rinj. Ata i kërkuan qeverisë reforma të thella në arsim, administratën publike, në drejtësi dhe fusha të tjera./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame