Prokuroria e përgjithshme ka dërguar në gjykatë një dosje penale në ngarkim të ish Ministrit të Turizmit, Osman Shehu, me akuzën tjetërsim i pasurisë nëpërmjet krimit apo mashtrimit. Prokuroria akuzon Shehun se ka përvetësuar 1.2 milion dollarë nga paratë e firmës Gjallica. Ish Ministri i Turizmit ka tërhequr në agjensinë e kambizmit në Vlorë shuma të konsiderueshme në dollarë në kohë të ndryshme. Por vetë Shehu i konsideron këto akuza si tendencioze dhe grupin e hetimit mbi firmat si të paaftë.

Osman Shehu: ” Kjo akuzë që shpërndahet sot për të krijuar një tymnajë në shtypin e ditës është thjeshtë një çmenduri e rradhës e prokurorit Bilbil Meta, për të cilin mendoj se është një fatkeqësi për prokurorë të tillë të cilët nuk shkëputen dot nga mentaliteti i hetuesve komunistë, egzistojnë akoma.”

Gazetarja: A e keni marrë ju këtë sasi parashë nga Gjallica?

Osman Shehu: ” Po unë kam marrë më shumë se kaq, kam marrë 2 milion e 70 mijë lekë, në vjeshtë të vitit 96, në bazë të një marëveshje me Fitim Gërxhalliun, për të kryer një biznes në importin dhe shitjen e grurit dhe ky do të ishte një biznes i përbashkët. Në Maj të 97 me një proçesverbal kam dorëzuar të gjitha dokumentacionet të cilat bënin fjalë për shlyerje të këtij detyrimi”.

Osman Shehu pretendon se paratë e marra i ka kthyer sërisht te Fitim Gërxhalliu dhe shprehet se për këtë do të mbrohet edhe në proçesin e hapur gjyqsorë.

Osman Shehu: ” Në gjyq do të thërras të gjithë gazetarët që të shohin se si është e vërteta dhe të shohin se çfarë akuze ordinere dhe çfarë akuze që përcjell veç inat dhe mllef, ka paraqitur prokurori Bilbil Meta./tvklan.al