Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Ka nisur aksioni i tatimorëve i paralajmëruar nga Ministri i Financave për gjobitjen e të gjithë subjekteve, që nuk janë të pajisur me kasa regjistruese. Policë të tatimeve kanë nisur që prej ditës së djeshme këtë aksion rrënjësor në disa prej rrugëve kryesore të kryeqytetit, si rruga e “Durrësit”, “Myslym Shyri”, bulevardi “Bajram Curri”, rruga e “Kavajës” etj.

Ky aksion është drejtuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve Naim Hasa.

Naim Hasa:- “Pas një fushate sensibilizuese që tashmë është ndjekur nëpërmjet medias, organet tatimore në bazë të një programi pune të miratuar nga drejtori i përgjithshëm dhe të urdhrit të Ministrisë së Financave, po ushtrojnë një kontroll të përgjithshëm, kontroll mbarëkombëtar jo vetëm në Tiranë”.

Këto kontrolle sipas Hasës do të zhvillohen dy herë në muaj derisa të sensibilizohen tatimpaguesit ashtu edhe blerësit, për rëndësinë që ka pajisja me fatura pas blerjes së një malli./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka