Në Gërdec ka nisur aksioni për dislokimin e municionit me përmbajtje tritoli. Bëhet fjalë për një sasi prej 4 mijë tonësh predha pa ndezës, municion ky që në gjuhën ushtarake njihet si municion i lëvizshëm, por gjithsesi i rrezikshëm.
Vetëm sot janë dislokuar tetë ton municione në praninë e të përfaqësuesve të prokurorisë.
Komandanti i kompanisë shqiptare të asgjësimit të municioneve të panjohura thotë se nuk ka asnjë rrezik për banorët, të cilët ndodhen pranë asaj që njihet si zonë e infektuar.
Shkëlzen Mhillaj: “Të gjitha municionet që dalin nga një forcë shpërthyese që pësojnë deformime në përgjithësi janë municione të rrezikshme, por duke parë parametrat që ka kjo zonë, kalibrat që ndodhen brenda dhe municionet që klasifikohen në municione të rrezikshme, por të lëvizshme ne mund të evidentojmë këtu një sasi të madhe municionesh që është i rrezikshëm, por mund të lëvizet dhe nuk do të asgjësohet në zonë. Kemi një pjesë tjetër municionesh ose elementë municionesh siç janë djegoret, që janë të palëvizshme, por vetë natyra e tyre përmbajtja e TNT-së, lëndës eksplozive, është e vogël dhe kemi caktuar një zonë ku mund të bëhet shpërthimi i tyre, pra ato janë të palëvizshme dhe shpërthimi i tyre nuk fragmenton më tepër se 200 metra, 133-200 metra dhe zona e rrethuar parashikon që në këtë vend të bëhet asgjësimi i djegoreve, por që nuk ka asnjë impakt për zonën jashtë, përjashtuar zhurmës.”
Ekspertët shqiptarë, të asistuar dhe nga ekspertë amerikanë të kompanisë ARMO kanë bërë një pastrim sipërfaqësor të zonës në një rreze prej 2.5 në 3 kilometra.
Në zonën e rrethuar që nënkupton zonën e ndaluar për banorët e Gërdecit është kontrolluar me aparaturë të përshtatshme deri në 50 metra thellësi. Mbeten pa u kontrolluar dhe 6.8 hektarë rreth vatrës ku dhe ka ndodhur shpërthimi.
Shkëlzen Mhillaj: “Për të hequr municionet dhe elementët e rrezikshëm do të duhet rreth një vit kohë. Masandej për t’u rikuperu kjo zonë, për t’u kthyer në normalitet, për t’u hetuar, për t’u gërmuar në thellësi për predha të tjera është një fazë tjetër.”
Municionet e dislokuara nga Gërdeci do të shkojnë në magazina të posaçme ushtarake. Demilitarizimi i tyre do të fillojë me përfundimin e hetimeve për ngjarjen e rëndë që goditi këtë zonë rreth pesë muaj më parë./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi