Të gjithë shtetasit shqiptarë që janë mbi 18 vjeç nga dita e hënë do të nisin aplikimin për pajisjen me letërnjoftimet e rinj, por ç’duhet të bëjë secili prej nesh për ta patur këtë dokument dhe për të shmangur disa sanksione të parashikuara nga qeveria në rast se aplikimi nuk bëhet në një kohë të caktuar.
Së pari, çdo person duhet të kryejë pagesën e vendosur sipas kategorive në filialet e Postës Shqiptare, më pas me mandatin e pagesës duhet të drejtohen në zyrat e instaluara tashmë pranë gjendjeve civile përkatëse, ku do të japë gjeneralitetet, shenjat e gishtërinjve, do të bëjë fotografimin dhe do t’i japë firmën elektronike.
Në një kohë të shkurtër pas verifikimit të të dhënave të tyre qytetarët marrin edhe njoftimin se kur do të pajisen me dokumentin e ri.
Asnjë qytetar nuk duhet të tregohet neglizhent në aplikimin për kartën e identitetit pasi mosaplikimi çon në penalizimin e tyre.
Aplikimi do të kryhet në faza të ndryshme sipas kategorive të ndryshme. Punonjësit e administratës shtetërore kanë afat deri më 25 Shkurt, personat që përfitojnë përkrahje sociale apo çdolloj ndihme tjetër deri në 30 Prill, nxënësit apo studentët deri më 30 Mars. Për kategoritë e tjera afatet nisin të zbatohen më 1 Shkurt./tvklan.al