Ashtu siç kishin paralajmëruar 11 deputetë të parlamentit shqiptar kanë nisur grevën e urisë në shenjë proteste kundër përpjekjeve të dy partive të mëdha për ndryshimin e Kodit Zgjedhor.

Deputetët e dy partive të vogla parlamentare, pesë nga Lëvizja Socialiste për Integrim, pesë nga Partia Demokristiane e Ndokës dhe një i pavarur janë ngujuar në një prej sallave të kuvendit në orën 19:30 të të së hënës.

Ilir Meta, Spartak Braho, Ndre Legisi, Pëllumb Xhufi, Nikollaq Neranxi, Petro Koçi, Nard Ndoka, Jak Ndokaj, Frrok Gjini, Ndue Shpani dhe Ymer Tola kanë nisur grevën pa afat të mbështetur nga qindra simpatizantë të mbledhur jashtë ambienteve të parlamentit.

Petrit Vasili: “Sot detyrohen që të mbrojnë me jetën e tyre deputetët, vëllezërit tanë në parlament vetëm e vetëm për një gjë, që votën mos na e vjedhë Rama dhe Berisha. I gjithë populli i Tiranës dhe i gjithë populli i Shqipërisë do të jetë këtu në këtë shesh ku do të vërë në vend dhunimin dhe turpin e demokracisë.”

Futjen në grevën e urisë e shpalli nga foltorja e parlamentit kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim gjatë seancës parlamentare të së hënës.

Ilir Meta: “Duke vlerësuar me shqetësim të thellë dhe përgjegjësi historike përpjekjet antidemokratike dhe antikombëtare të paprecedent të lidershipit të Partisë Demokratike dhe të Partisë Socialiste për të diktuar dhe miratuar një kod elektoral që bie në kundërshtim të hapur me parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe shoqërisë demokratike për zgjedhje të lira e të ndershme. Jemi të detyruar të shpallim që nga ky moment grevën e urisë si e vetmja rrugë demokratike e civile që na ka mbetur për t’i thënë ndal revanshit të binomit Berisha-Rama dhe qëllimit të tyre antidemokratik dhe antikombëtar për shkatërrimin e zgjedhjeve të ardhshme përmes frikësimit paraprak të votuesve shqiptarë dhe së fundi përmes numërimit stalinist të votave.”

Kjo deklarate e tij mori më pas edhe mbështetjen e kreut të demokristianëve, Nard Ndoka.

Nard Ndoka: “Kuvendit i duhet të zgjedhë ose nënshtrimin, dorëzimin pa kushte, poshtërimin përpara dyshes Berisha-Rama ose mbrojtjen e kushtetutës dhe lirive politike të qytetarëve që burojnë dhe gradohen prej saj. Për ne demokristianët kjo është e papranueshme, e patolerueshme dhe e konsiderojmë një atentat që iu bë zgjedhjeve të lira në Shqipëri”.

Konfigurimi i ri i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me shtatë anëtarë i heq të drejtën LSI-së dhe PDK-së të kenë përfaqësues të tyre në këtë komision./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle