Në televizionin Klan filloi mbrëmjen e djeshme “Lufta e Nuseve”. Një program ku përcillen për shikuesit histori të bukura dashurie, dasma madhështore, atmosfera të zjarrta, batuta, lot gëzimi, por mbi të gjitha një “luftë” e vërtetë mes nuseve për dasmën më të bukur.
Në puntatën e parë, sfida u zhvillua mes çifteve Marina e Ndue, Algida e Algert dhe Antonela e Mition.
Historia e njohjes së Marinës me Nduen, baristin me origjinë nga Mirdita është mjaft interesante. Të dy kishin shkuar në Itali për një jetë më të mirë. Ndue ëndërronte të bëhej futbollist, por një dëmtim i preu ëndrrën. Më pas, ai filloi punë si barist në klubet e natës. Atje u njoh me Marinën, bukuroshen moldave që kishte ardhur në barin e Ndues, së bashku me shoqet e saj.
Ishte dashuri me shikim të parë dhe që prej atij momenti nisi dhe historia e tyre e dashurisë. Ata sot janë prindër të Arjanës, 3-vjeçare, por edhe në pritje të ardhjes në jetë të një tjetër fëmije sepse Marina është sërish shtatzënë.
E dyta ishte dasma e Algidës dhe Algertit. Ata vijnë të dy nga i njëjti fshat, por prindërit e Algidës kishin shkuar qysh të rinj në Itali në emigrim dhe Algida ishte rritur në Itali. Ndërsa Algerti vijonte punën si elektricist në Lushnjë, pa e menduar ndonjëherë një jetë jashtë Shqipërie. Një dasëm e përbashkët do ishte fillimi i historisë së dashurisë midis tyre.
Dasma mbaroi pa thënë asnjë fjalë dhe Algida shkoi në Itali me mëndjen në fshatin e origjinës. Por një ftesë e ardhur nga Algerti në Facebook do ishte pikënisja e asaj që më vonë do ishte një histori e bukur dashurie.
Dasma e tretë në “Lufta e Nuseve” ishte ajo mes Antonelës dhe Mititonit nga qyteti i Fierit. Të dy punonin në të njëjtën kompani sigurimesh, por ishin natyra krejt të kundërta. Antonela e hedhur, e qeshur dhe mjaft aktive, ndërsa Mitioni i tërhequr, serioz e pak autoritar. Ai ndiente për të, por nuk guxonte ti thoshte. Derisa një ditë një kolege tek puna, i tregon Antonelës për ndjenjat që ai kishte.
Ajo u habit, por njëkohësisht filloi të ishte më e vëmendshme ndaj adhuruesit serioz. Mitioni kishte edhe një pengesë jo të lehtë në rrugën për te Antonela, pasi ishte shok me babain e saj… Por pavarësisht kësaj, ata vendosën të takoheshin dhe që nga ai moment nuk u ndanë më./tvklan.al