Kështu kryeministri Berisha në prani edhe të ministrit Olldashi dhe Basha, ka inauguruar fillimin e punimeve për ngritjen e qendrës më të madhe tregtare në vend e quajtur “Tirana East Gate”, porta lindore e Tiranës.

Investimi prej afro 50 milionë eurosh për një qendër me standarde perëndimore në sektorin e shitjeve me pakice mundësohet nga grupi Balfin, i suksesshëm aktualisht me një tjetër qendër tregtare atë QTU, në bashkëpunim edhe me fondin shqiptaro-amerikan për zhvillim dhe një huaje prej 24 milionë eurosh nga banka evropiane për rindërtim dhe zhvillim. Kryeministri Berisha ka përgëzuar për këtë sipërmarrje presidentin dhe drejtorin ekzekutiv të kompanisë Balfin biznesmenin e suksesshëm Samir Mane.

Sali Berisha: “Unë dua ta përgëzoj zotin Mane, i cili 4 vjet më parë inauguroi në Shqipëri qendrën më të madhe tregtare të vendit. Përllogaritjet e tij ishin të sakta dhe tejkaluan çdo skepticizëm. Një muaj më parë unë e pyeta se si të kanë ecur shitjet, u përgjigj se në gusht ato kanë patur një rritje 36% krahasuar me gushtin e një viti më parë. E vërteta është që Shqipëria po ecën me shpejtësi, qendra është një investim i madh prej 50 milion euro, pulson direkt apo indirekt rreth 2500 qytetarë shqiptar. TEG do të jetë një projekt me dy kate, pas finalizimit të boshit të jugut, kjo do ketë nevojë për 4 kate.”

Përveç kënaqësisë së blerjes me cilësi dhe çmime të favorshme kjo qendër tregtare do të ofrojë edhe mundësi të shumta argëtimi.

Samir Mane: “Me gjithë modestinë mund t’iu garantoj se në përfundim të saj kjo do të jete qendra tregtare më tërheqëse në Tiranë. Kjo qendër do t’iu ofrojë qytetarëve të Tiranës dhe jo vetëm të këtij qyteti kombinimin më të mirë të produkteve, markave tregtare. Gjithashtu në qendrën tregtare TEG, do të jenë të pranishme biznese ndërkombëtare dhe lokale të tregtimit të produkteve ushqimore, elektronike, tekstile si dhe të shërbimeve të tjera. I gjithë projekti tashmë është i hartuar deri në detajet më të imëta dhe aktualisht jemi në fazën e ndërtimit. Paralelit po punojmë intensivisht për të përzgjedhur bizneset që do të operojnë në këtë qendër.”

Pavarësisht klimës jo të favorshme për të siguruar kredi tregtare, grupi Balfin ka mundur që gati gjysmën e këtij investimi të sigurojë nëpërmjet një huaje nga BERZH.

Daniel Berg: “Siç e dimë të gjithë 18 muajt e fundit kanë qenë të vështira për tregun financiar, sidomos në sektorin e pronave të patundshme, por duke parë projektin ne jemi krenarë që mundësuam një hua prej 24 milion eurosh në fillim të këtij viti për ta financuar këtë projekt.”

Qendra tregtare “Tirana East Gate” po ngrihet në sipërfaqen e ish-kartodromit në Mullet dhe pritet që të përfundojë brenda vitit të ardhshëm.

Me një sipërfaqe totale prej gati 100 mijë metrash katrorë dhe më se 1600 vende parkimi, kjo qendër do të jetë më e madhja e një modeli perëndimor në Shqipëri./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro