Ka nisur puna për ndërtimin e shkollës së re “Pjetër Budi”. Teksa pa nga afër nisjen e punimeve, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se shkolla do të jetë gati vitin e ri arsimor.

“Është vërtet gëzim sepse po lind diçka e re, siç është nostalgji se po çmontohet diçka e vjetër. Unë e kam kaluar disa herë këtë përjetim, e kuptoj edhe historinë e Teatrit, – ka shumë nostalgji për gjënë e vjetër – por do shohim përpara, jo mbrapa. Do punojmë për 100 vitet e ardhshme dhe jo për ato të kaluarat. Sot hapim një faqe të re! E kemi afatin 12 muaj, do të mundohemi ta bëjmë për 10 muaj, që ta kapim shtatorin tjetër”, tha Veliaj.

Veliaj ironizoi edhe protestat e opozitës.

“Kur njerëzit më thonë ç’është ky fiksim me shkollat, u them se i vetmi antidot për dhunën, janë shkollat. Ata digj goma, ne ndërto shkolla; ata shty policinë, ne ndërto shkolla. Ata blloko rrugët, ne ndërto shkolla. Shkolla është ilaçi për çdo problem të shoqërisë. Nëse kemi çuna e goca të arsimuar, nëse janë përgatitur për punët e së ardhmes, të gjitha cic-micet, zhurmat e budallaqet e politikës së ditës nuk do i mbajë mend njeri, por shkolla do të ngelet këtu”, tha Veliaj.

Ambicia e Bashkisë së Tiranës, tha Veliaj, është që numri i shkollave të reja të arrijë në 55.

Shkolla “Pjetër Budi” do të jetë e pajisur me sallë multifunksionale, 1 sallë për fëmijët me aftësi ndryshe, palestër, ashensor dhe ambiente të tjera ndihmëse.

Tv Klan