Nis ndërtimi i terminalit të autobusëve te kthesa e Kamzës. Gjatë inspektimit në terren kryebashkiaku Erion Veliaj tha se problemet me pronësinë, që e mbajtën peng prej 9 vitesh zbatimin e këtij projekti, kanë marrë fund.
“Jam vërtet entuziast sepse kemi 9 vite që e presim këtë ditë. Kemi pasur një sërë gjyqesh dhe kemi provuar në vetë të parë se çfarë do të thotë drama e një gjyqësori, e një sistemi totalisht të shkalafitur të pronave, të zaptuesve, të legalizimit, të hipotekave, por më në fund ia kemi dalë që t’i fitojmë të gjitha betejat. Sot ia kemi dalë që të fillojmë edhe punën”, tha Veliaj.
Teksa u ndal tek investimet e bashkisë, një prej të cilëve është edhe terminali i ri i cili do të jetë 5 herë më i madh se ai lindor. Veliaj tha se ky projket do të jetë zgjidhje për trafikun në kryeqytet, dhe se sulmet e opozitës nuk do e ndalin punën e bashkisë.
“Unë e di që të gjitha projektet e mëdha sulmohen, – jo po do kalosh mbi trupin tim, jo po këtu s’kalon, jo po këtu është vijë e kuqe, vijë e verdhë – ndërkohë, e pamë që shkatërrimi i këtyre vijave idiote imagjinare në kokën e disave prodhoi rezultat ekonomik për të gjithë zonën e lagjes “Rilindja”, ku Unaza e Madhe ka çliruar të gjithë atë energji, duke rritur vlerën e apartamenteve”.
Terminali tek Ktheza e Kamzës do të jetë kryesisht për linjat e linjat e veriut, jugut të Shqipërisë dhe linjat e tjera ndërkombëtare, që shkojnë si nga veriu, edhe nga jugu.
Tv Klan