Afro 2 vjet pas fillimit të punimeve, TEC-i i Vlorës një nga veprat më ambicioze në sektorin energjetik ka kryer provën e parë, përpara hyrjes në funksionim të plotë në shtator të këtij viti. Kryeministri Sali Berisha ka ndjekur nga afër procesin e futjes në punë dhe monitorimit të treguesve te ndotjes. Siç konfirmuan edhe specialistët e fushës efekti i emetimeve të gazrave në mjedis do të jetë dy herë më i ulët se standardet e Bashkimit Evropian.
Inxhinieri: “Gjithë ky TEC, domethënë ky impiant që do prodhojë 100 megavat energji elektrike do komandohet nga kjo sallë komandimi me 3 persona. Tani këtë mund tua demonstrojmë se si do vihet në punë TEC-i.”
Mbrojtja e ambientit është cilësuar nga kryeministri si një standard që qeveria ka përmbushur në respekt të banorëve të zonës dhe shoqatave mjedisore
Sali Berisha: “Kompania ka sjellë këtu një teknologji e cila garanton standarde dy herë më të larta, se sa standardet e pranuara nga BE. Shoqatat e vërteta të mjedisit i garantoj për respektin tim më të madh dhe i ftoj të forcojnë gjithnjë e më shumë vëzhgimin, të ngrenë zërin për mbrojtjen për mbrojtjen e mjedisit.”
Duke e cilësuar ndërtimin e kësaj vepre si të domosdoshme për zhvillimin industrial dhe turistik te zonës kryeministri tha se rritja e potencialit energjetik të vendit, do të garantojë jo vetëm 24 orë furnizim pa ndërprerje por do ta kthejë Shqipërinë në eksportuese të energjisë. Projekti i radhës tha shefi i ekzekutivit do të jetë termocentrali i Durrësit.
Sali Berisha: “Shqipëria nuk do të qëndrojë kurrë në monokulturë energjike. Do të diversifikojmë prodhimin e saj dhe burimet e saj. Qeveria pas këtij TEC-i do të ndërtojë TEC-in tjetër, jo në Vlorë,por do ndërtojë TEC-in tjetër në Durrës. Qeveria nuk mund të rrijë në asnjë rrethanë e këcënuar për mungesë energjie. Detyra e saj është qytetarëve shqiptar në çdo rrethanë, në çdo kohë, në çdo stinë 24 orë pa ndërprerje energji elektrike edhe sikur të rrijë me çelës të mbyllur ia vlen sepse këtu nuk do jetë e largët dita kur do të kemi 1 milion e 2 milion turistë, në gjithë këtë zonë, ti ftosh të tjerët dhe ti lësh në errësirë, ajo është gjëja më e papranueshme.”
Ndërtimi i TEC-it të Vlorës është një investim i qeverisë shqiptare me vlerë 120 milionë euro, financuar nga Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim si dhe Banka Evropiane për Investime. Kjo vepër energjetike do të ketë një kapacitet prej 100 megavat dhe cilësohet si më e madhja e ndërtuar në vend, pas vitit 1985./tvklan.al