Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Ka nisur sot në gjykatën e Tiranës, procesi i shumëpritur i dosjes Hajdari. Pas 30 muaj hetim nga Prokuroria e Përgjithshme, sot janë ulur në bankën e të akuzuarve, një pjesë e atyre që akuzohen si bashkëpunëtorë në vrasjen e deputetit demokrat Azem Hajdari më 12 Shtator 1998.
Nën drejtimin e gjyqtarit Arben Micko, në një sallë të vogël të gjykatës së Tiranës, të mbushur me gazetarë dhe familjarë të të pandehurve, janë ulur përballë njëri-tjetrit, grupi i prokurorëve të çështjes i drejtuar nga Haxhi Giu dhe asistuar nga prokurorja norvegjeze Vagner dhe tre të pandehurit, Ismet Haxhia, Isamedin Haxhia dhe Fatmir Meta. Për dy të pandehurit e tjerë që për momentin nuk janë ulur ende në bankën e të akuzuarve, Jaho Salihi dhe Izet Haxhia, gjyqtari Micko vendosi.
Gjyqtari Arben Micko:- “Duke u mbrojtur të pandehurit nga avokatët, Izet Haxhia nga avokat Fatos Shanaj dhe i pandehuri Jaho Mulosmani nga avokat Pëllumb Zaimi”.
Pas prezantimit të palëve, ka qenë avokati i Metës, Saimir Vishaj, i cili ka kërkuar veçimin e dosjes së klientit të tij dhe cilësimin e pavlefshëm të provave të paraqitura nga prokuroria dhe dëshmisë së dhënë nga burgu në Itali të Astrit Muldakës. Kërkesa që u hodhen poshte nga prokurorët. Vëllezërit Haxhia dhe Fatmir Meta akuzohen për implikim në vrasjen e deputetit Hajdari. Pas përmbledhjes së ngjarjes nga prokurori Giu, gjyqtarit Micko, iu kërkua nga avokatët mbrojtës kohë për njohjen e dosjes ndaj u vendos data 13 e këtij muaji./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj