Ka nisur puna për ndërtimin e Kampusit të Kolegjit të Europës në Tiranë. Kryeministri Edi Rama së bashku me drejtuesen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Rektore e Kolegjit të Europës me qendër në Bruzh, Federica Mogherini dhe ministren e Arsimit Ogerta Manastirliu, inspektuan në terren kantierin e ndërtimit.
Gjatë inspektimit të punimeve, Mogherini dha detajet e projektit.
“Praktikisht projekti është shumë interesant jo vetëm nga pikëpamja e arkitekturës, por dhe nga pikëpamja funksionale dhe nga shërbimet që do të ofrojë. Përbëhet nga 4 godina, godina e librarisë dhe disa shërbime për të rinjtë dhe studentët. Godina e dytë është ajo e klasave dhe ambienteve mësimore. Godina e tretë është ajo për zyrat dhe shërbimet e tjera ndihmëse në funksion të kolegjit dhe godina qendrore është ajo e një salle të madhe, e një aure të madhe për studentët, por dhe për takime të ndryshme”.
Ministrja e Arsimit, Manastirliu tha se Kampusi i Kolegjit të Europës do të shërbejë edhe për studentëve të Qytetit Studenti pasi edhe ata do të kenë akses te kampusi.
“Kjo hapësirë do t’i shërbejë së pari kampusit të Kolegjit të Europës, por nga ana tjetër dhe studentëve të Qytetit Studenti sepse do të kenë akses tek shërbimet ndaj studentëve si biblioteka, një muze që do të ndërtohet dhe ambientet sportive të cilat janë pjesë e këtij kampusi. Do të kemi mundësi të bashkëveprojmë më shumë me universitetin e Tiranës. Duke qenë se dhe një pjesë e ambienteve këtu do të jenë në shërbim të studentëve të këtij universiteti por dhe të studentëve që janë pjesë e rezidencës”.
Projekti për kampusin parashikohet të përfundojë brenda dy viteve. Hapja e kampusit të parë në Tiranë jo vetëm që shënon një partneritet strategjik mes Shqipërisë dhe institucioneve evropiane, por gjithashtu hap mundësi të mëdha për studentët dhe akademikët nga Ballkani Perëndimor, Bashkimi Evropian.
Klan News