Veliaj hedh poshtë akuzat për betonizim
Parku “Rinia” në qendër të Tiranës do të transformohet në një mjedis më të gjelbëruar, por edhe më argëtues për fëmijët dhe qytetarët. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi fillimin e punimeve, të cilat sipas tij sjellin jo vetëm përmirësimin estetik të parkut, por pritet të dhjetëfishojnë numrin e vizitorëve.
“Ka filluar një tjetër punë e bashkisë. Ndaj, kur lexova portalet që shkruanin: ‘skandal te parku “Rinia”, po betonizohet’, thashë më në fund filloi puna dhe nuk do presim katër vjet që të mbajmë premtimet. Do të shkojmë nga një park estetik për syrin, që përdoret nga vetëm disa qytetarë, në një park të transformuar që do të përdoret nga dhjetëfishi i qytetarëve që e frekuentojnë sot atë; një park, i cili do të rikonceptohet si një park ‘butik’ i asaj zemrës së Tiranës.”
Investimi i Bashkisë tek Parku Rinia parashikon krijimin e disa minishesheve, park lojërash për fëmijë, si dhe lojëra për të moshuar.
“Ne duam që ashtu si tek Parku i Liqenit, investimet shtesë siç mund të jenë këndi i lodrave, pistat, shatërvanët, të sjellin më shumë përdorim të parkut nga qytetarët. Duam që ky park të mos jetë vetëm një fjetinë e madhe për ata që i kap dremitja e drekës në park ose për ata që vandalizojnë ‘Monumentin e Pavarësisë’, por të rikonceptohet totalisht, për të pritur disa grupmosha qytetarësh”.
Në parkun Rinia është parashikuar ndërtimi i një baseni ujor, që kulmon nga Monumenti i Pavarësisë dhe përfundon në pjesën fundore të parkut, ndërsa rrugicat do të shtrohen me gurë dekorativë. Gjithashtu, është parashikuar vendosja e ndriçimit LED.
Tv Klan