Kuvendi nis sot sesionin e fundit të legjislaturës së X. Ndonëse pritet të jetë një sesion më i shkurtër se të tjerët, për shkak se Kuvendi duhet të shpërndahet para zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit, opozita dhe mazhoranca ndodhen para sfidës së gjetjes së kompromisit për ndryshimet në Kodin Zgjedhor për votën e diasporës.
Këto ndryshime të propozuara nga KQZ, por të mbështetura edhe nga PS, kanë lidhje me afatin e prodhimit të fletës së votimit, e cila duhet shpërndarë shpejt tek emigrantët që do të votojnë me postë.
Në seancat e para të këtij sesioni pritet të votohet edhe për dërgimin ose jo në Gjykatë Kushtetuese të mandatit të deputetit socialist Vullnet Sinaj, çështje për të cilën u ra dakord disa ditë më parë në Këshillin e Mandateve.
Tv Klan