Lajme Arkiva 2003
Janë nisur në mesditë trupat e fundit Komando për në Irak. Kontingjenti paqeruajtës prej 66 ushtarakësh i bashkohet koalicionit ndërkombëtarë amerikan dhe atij britanik që vepron në rajonin e Gjirit Persik. Gjithçka bëhet në kuadër kundër luftës së terrorizmit.
Avioni i parë special ushtarak amerikan ka transportuar 46 trupa ku me një tjetër avion janë nisur 20 trupa të tjerë Komando. Në përbërje të këtij kontingjenti pjesa më e madhe janë oficer, nënoficerë dhe një numër i vogël ushtarësh të shërbimit të detyrueshëm.
Ushtar: Për këtë punë stërvitemi dhe përgatitemi. Pak rëndësi ka shpërblimi. Rëndësi ka atdheu. Kjo është detyra jonë.
Ushtar: Mision i vështirë?
Ushtar: I vështirë por ne do e përballojmë.
Ushtar: Rrezikshmëria është, por dimë ti shmangemi.
Përveç familjarëve përcjelljen e fundit e ka bërë Ministri i Mbrojtjes Pandeli Majko, i cili ka ndjekur përgatitjen e tyre por edhe premton se do ti vizitojë edhe në Irak.
Pandeli Majko: Ju premtova se do të shkoj edhe në Irak për ti vizituar. Është pjesë e detyrave normale. Kemi marrë detyrim para familjarëve dhe janë djem që na kanë nderuar. Unë e kam ndjekur dhe pozicionin e tyre karshi mediave. Asnjëherë s’janë ankuar vetëm kanë shprehur qëndrimin e tyre kundrejt vendit, kundrejt disa gjërave që e kam thënë edhe më para ky tranzicion sikur ka zbehur pak, por këta djem na kujtuan se qëndrojnë ashtu siç kanë qenë.
Pjesëmarrja e trupave tona Komando u shpreh ministri Majko e vendos Shqipërinë në një vend nderi. “Ju,jeni pasqyra më e mirë e zgjimit të ndërgjegjes kombëtare,”-ju drejtua Ministri i Mbrojtjes./tvklan.al