Kombëtarja e Maltës ka mbërritur në mesditën e së hënës në Tiranë për t’u përballur me Shqipërinë në ndeshjen e dytë të grupit të parë për kualifikueset e kampionatit botëror të Afrikës.
Maltezët e kanë kryer seancën e parë të stërvitjes në Tiranë në kompleksin Dinamo. Në një orë të nxehtë të pasdites në 17:30 trajneri i kombëtares malteze, çeku Dusan Fitzel, është përpjekur të çlirojë futbollistët duke i bërë më shumë stërvitje pa top.
Malta vjen në Shqipëri pas një humbje të thellë 4 me 0 me Portugalinë në një ndeshje të zhvilluar të shtunën në ishull.
Skuadra e tyre është e përbërë më së shumti me futbollistë që luajnë në kampionatin vendas.
Lojtari më i njohur është edhe Michael Mifsud, i cili luan në championship-in anglez, me Coventry City.
Rreth orës 18 ka nisur stërvitja dhe për kombëtaren shqiptare. Këta të fundit kanë zgjedhur “Qemal Stafën”.
Seanca i është kushtuar më shumë finalizimit të aksioneve. Lojtarët kanë luajtur në zonën përpara portës.
Nga një anë janë provuar titullarët dhe nga ana tjetër rezervat duke vendosur në pozicionet sulmuese mesfushorët e sulmuesit.
Seanca e stërvitjes është ndjekur nga afër dhe nga presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, i cili mesa duket pret një fitore që do ta çonte Shqipërinë në kuotën e katër pikëve në grupin e parë./tvklan.al
Gazetar: Erion Todhe