Ligjërisht, hetimi pasuror nuk shkon te akuza. Kështu ka deklaruar mbrëmjen e sotme në “Opinion” ish-prokurori Eugen Beci. Nisur nga rasti i kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, Beci sqaroi se nuk mund të kryhet kontroll në banesë pa pasur indicie për një vepër penale, bazuar në prova. Sipas tij, hetimi pasuror që është aluduar se po kryhet ndaj Veliajt, ka dy elementë nga ana ligjore.
Eugen Beci: Nga akuza shkohet te hetimi pasuror, jo e kundërta. Në rast se prishet kjo balancë, duhet të bëjë kujdes çdo qytetar në Republikën e Shqipërisë. Vettingu është tjetër dhe hetimi pasuror është tjetër. Hetimi pasuror vetëm dy elementë ka, ose të jesh i dyshuar për kryerjen e një liste veprash penale që parashikon ligji antimafia…
-Që janë?
Eugen Beci: Janë terrorizmi, trafiqet, korrupsioni, ushtrim i ndikimit të paligjshmërisë. Dyshimi ku mbështetet? Në regjistrimin e emrit në regjistrin e veprës penale, në njoftimin e akuzës, në kryerjen e një procesi të tërë që mund të nxjerrë të pafajshëm, por jo se nuk ekziston fakti, por se nuk provohet. Përsëri hetimi pasuror ndaj teje vazhdon. Pika tjetër e më kryesore, në rast se je i dënuar me një vendim gjykate të formës së prerë për këto vepra penale, në çdo shtet të rruzullit tokësor. Nuk është dyshimi te oficeri i lagjes që thotë Blendi vishet bukur dhe duhet ta hetojmë.
Teksa pritet që SPAK të dalë me një njoftim të dytë, më të detajuar e konkret mbi këtë rast që ka bërë bujë, aludimet janë të shumta. Gazetarja Klodiana Lala deklaroi me bindje sonte në studio se Veliaj po hetohet për korrupsion.
Ndërkohë përmes një mesazhi, avokatët e familjes së Veliajt theksuan se “nuk ka ende një akuzë zyrtare apo informacion se cili person po hetohet”.
/tvklan.al