Një rast birësimi i një 5-vjeçarjeje që mund te ishte kthyer në situatë fatale për të është parandaluar në kohe. E mitura e Shtëpisë së Fëmijës në Shkodër ishte birësuar në Tetor të vitit të kaluar nga një familje në Fier pas të gjitha analizave të bëra nga Komiteti Shqiptar i Birësimit.
Por drejtorja e Shtëpisë së Fëmijës Shkodër, Anxhela Radovani thotë se ishte vënë re se marrëdhënia mes nënës birësuese dhe vajzës nuk ishte e suksesshme, madje rezultoi se nëna kishte ushtruar edhe dhunë ndaj të miturës.
“Kishte dhunuar fëmijën në ambientet e kopshtit. Realisht nëna birësuese ka hequr dorë nga kujdestaria…”
Nënës iu dha edhe mbështetje psikologjike, por situata nuk ndryshoi duke bërë që institucionet të ndërhynin.
“Me shumë ndërhyrje nga njësia e mbrojtjes së fëmijë ka arritur në pikën që fëmija të merret në mbrojtje. Është kthyer edhe një herë në institucionin tonë”, tha Radovani.
Radovani thotë që ky është rasti i parë në eksperiencën e saj që është hasur me një situatë të tillë.
“Me aq sa komunikova me komunitetin e birësimeve është rast i paprecedentë”, u shpreh ajo.
Për të parandaluar raste të tilla, Shtëpia e Fëmijës Shkodër kërkon bashkëpunimin e të gjitha institucioneve.
“Ne gjithmonë çedojmë tek sistemi i referimit dhe në momentin që nuk e referojmë ne e kemi të vështirë të parandalojmë një situatë që mund të jetë fatale”.
Tashmë fëmija është marrë në mbrojtje dhe pavarësisht se rikthimi në institucion ishte traumatik, me rëndësi është që ai është tashmë në një mjedis të sigurt.
Tv Klan