Kandidatja pro-perëndimore, 48-vjeçarja Maia Sandu do të udhehëqë tashmë Moldavinë si Presidentja e parë grua e vendit. Në raundin e dytë, ish-Kryeministrja, aktualisht lidere e partisë opozitare të Veprimit dhe Solidaritetit, Maia Sandu i fitoi zgjedhjet me 57,71 % kundrejt 42,29 % të votave që mori Presidenti aktual Igor Dodon.
Opozitarja Sandu u kishte bërë thirrje numëruesve të saj të votave për “vigjilencë maksimale”, ndërsa është zotuar të luftojë korrupsionin në këtë ish-republikë sovjetike. Sandu favorizon lidhje më të ngushta me Bashkimin Evropian ndërkohë qe rivali i saj u mbështet hapur nga Rusia.
Humbja e Presidentit Igor Dodon në detyrë që nga viti 2016 është e turpshme për Kremlinin dhe Presidentin Vladimir Putin qe e kishte mbështetur atë hapur në garën presidenciale. Pasi të fillojë punë, brenda 45 ditëve Presidentja e re moldave do te përballet me sfida të mëdha, jo vetëm me pandeminë e koronavirusit por edhe reformat ekonomike.
Moldavia është një nga vendet më të varfra në Evropë. Sipas rezultateve jozyrtare të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve të Moldavisë, pjesëmarrja në zgjedhje ka arritur në 52,78 % prej 3.287.140 votuesve, duke përfshirë edhe ata jashtë vendit. Rezultatet përfundimtare pritet të publikohen brenda tri ditëve.
Klan Plus