Shqipëria do të shtojë përpjekjet për rritjen e numrit të marrëveshjeve policore me shumë shtete për kapjen e personave të shpallur në kërkim.
Sipas ministrit të Brendshëm Taulant Balla këto marrëveshje ndihmojnë komunikimin e drejtpërdrejtë të Policisë së Shtetit me policitë e këtyre vendeve për zbulimin e vendndodhjes së tyre.
“Synimi është rritja e efikasitetit në luftën kundër krimit, shoqëruar dhe me forcimin e bashkëpunimit në kuadër të zhvillimit të operacioneve të përbashkëta policore me Republikën e Moldavisë, duke patur synim veprat penale që lidhen së pari me krimin ndërkufitar. Moldavia është e pozicionuar gjeografikisht në një korridor të rëndësishëm të komunikimeve dhe të shkëmbimeve ndërkufitare.
Fokusi ynë mbeten veprat kundër jetës, shëndetit, integritetit fizik, veprat penale që lidhen me prodhimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, e në këtë kontekst do të theksoja dhe nevojën që ka forcimi i bashkëpunimit në një betejë, që kanë agjencitë ligjzbatuese lidhur me drogat sintetike.”
Komisioni për Politikën e Jashtme ka miratuar me votat pro të gjithë anëtarëve, marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Moldavisë për bashkëpunim policor.
Klan News