E gjithë Italia është përfshirë orët e fundit nga një valë e motit të keq me reshje të dendura shiu. Një 20-vjeçar humbi jetën në Bolonjë, pasi reshjet e dendura shkaktuan përmbytje në gjithë qytetin dhe shndërruan rrugët në lumenj të furishëm që morën përpara disa automjete, ndër të cilët edhe atë me të cilin i riu udhëtonte.

Në këtë qytet, reshjet e rëna gjatë orëve të natës përllogaritet se bien gjatë gjithë muajit tetor. Problematike situata në gjithë rajonin qëndror të Emilia Romanjës, ku ekipet e emergjencës ndërhynë për të shpëtuar shumë banorë të izoluar në banesat e tyre.

Kryeministrja italiane, Xhorxhia Meloni kërkoi shtimin e trupave të këtyre ekipeve për të ndihmuar në operacionet e shpëtimit. Përmbytje nuk pati vetëm në Bolonjë, por moti i keq u shtri deri në skajet jugore të Italisë. Pak ditë më parë, reshjet e dendura shkaktuan përmbytje në veri të Italisë, me epiqendër zonën e Xhenovës, ku pati jo pak dëme.

Tv Klan