Mësuesi i parë është një ndër figurat më të rëndësishme për një fëmijë që mbetet gjithnjë në kujtesën e tij. Shpëtimi është një prej mësuesve që ka ditur si të ngulitet thellë në zemrat e kolegëve, nxënësve por edhe prindërve të tyre.
Ditën e hënë ai del në pension dhe Hysniu, Amelia, Brunilda, Dhimitri, Sara kanë ardhur në “Ka Një Mesazh Për Ty” për ta falenderuar për gjithçka. Për të na njohur pak më mirë me të, secili prej tyre ndan me rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan disa gjeste mirësie të profesor Shpëtimit.
Brunilda: Marrëdhënie shumë, shumë e shkëlqyer me të dy. Unë jam shumë e privilegjuar me thënë të drejtën sepse kam pasur të dy fëmijët me mësues Shpëtimin si Dhimitrin, edhe Sarën dhe mendoj se është një profesor i pazëvendësueshëm sepse zakonisht kur mbaronte shkolla dhe fëmijët ishin nëpër shtëpi, mësues Shpëtimi nuk na thërriste ne prindërit ose fëmijët që të shkonin të merrnin dëftesat, por vinte dhe na i sillte vetë në shtëpitë tona. Jo vetëm ky, por kanë qenë shumë raste të tjera që mësues Shpëtimi më ka bërë të ndihem shumë mirë si prind sepse shkonte në mëngjes herët dhe i ndizte zjarrin fëmijëve…
Ardit Gjebrea: Vërtet?
Brunilda: Po. Kur fëmijët ishin të lagur, ai i rrethonte pas stufës që të thaheshin. Ka bërë shumë e shumë të tjera.
Ardit Gjebrea: Po Amelia?
Amelia: Unë personalisht kam shumë kujtime të bukura dhe momente të veçanta me mësues Shpëtimin. Në vitin 2015 kalova një periudhë të vështirë shëndetësore. Rashë nga një ndërtesë e vjetër, pësova një dëmtim serioz në këmbën e djathtë për të cilën m’u desh një muaj rikuperim dhe mësues Shpëtimi sapo mësoi për gjendjen time, ka ardhur për të më takuar dhe që unë mos të mbetesha prapa në mësime vinte çdo ditë në shtëpinë time pasi mbaronte punën për të më bërë çdo orë që unë humbisja dhe është vërtet për t’u vlerësuar një gjest i tillë pasi profesori e ka bërë edhe me shumë nxënës të tjerë ndër vite me shumë dashuri dhe përkushtim. Babi im ka qenë gjithashtu një ndër nxënësit e parë në fillimet e karrierës së mësuesit në shkollën e vendlindjes sonë…
Ardit Gjebrea: Vërtet? Domethënë edhe babi ka qenë nxënës i tij, edhe ti je nxënëse?
Amelia: Po. Ndihemi shumë krenarë. Babi shpesh më tregon, mban mend një gjest të veçantë që mësuesi ka bërë për ta. Një ditë i ka ftuar nxënësit në shtëpinë e tij, një ndër ta ishte edhe babai im dhe duke ditur të gjitha vështirësitë e jetesës, ai u ka dhuruar secilit nga nxënësit një palë çorape, këpucë, çanta shkolle, rroba të ndryshme për t’i lumturuar sado pak. Babai im e kujton gjithmonë dhe i është mirënjohës gjithë jetën dhe ndihemi të dy krenarë që ai ka qenë mësuesi ynë i parë dhe prind i dytë për ne./tvklan.al