Një rrugë në Tiranë ka marrë emrin e Remzi Hoxhës, sipërmarrësit të njohur që u rrëmbye në vitin 1995, ngjarje e cila vijon të mbetet e pazbardhur. Gjatë ceremonisë të mbajtur në Bashkinë e Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se kryeqyteti po nderon dikë që e ka brengë në ndërgjegjen e tij.
Erion Veliaj: Ky është një rast i pazakontë, pasi, do të nderojë dhe përjetësojë dikë që e ka vrarë Tirana politike. Ky është rasti kur Tirana do të stampojë në kujtesën e saj, nevojën për reflektim që ka shoqëria jonë, e cila duhet të fiksojë në kujtesën e kryeqytetit jo vetëm heroizmat, arritjet apo njerëzit që e kanë bërë krenar, por edhe ato gjëra, si ky rast, që na ka bërë të ulim kokën. Rasti i Remzi Hoxhës është fiks një rast i tillë. Ai ishte një sipërmarrës i njohur në Kosovë dhe Maqedoninë e asaj kohe të viteve 90-të, i cili kishte sytë, mendjen dhe zemrën vetëm nga Shqipëria. Investoi qysh me ardhjen e demokracisë në disa projekte modeste në Tiranë e më pas vendosi të hapë një biznes të qëndrueshëm.
Veliaj tha se emërtimi i rrugës me emrin e Remzi Hoxhës, është një dëshmi se qyteti ka fuqi të pranojë gabimet e veta.
Erion Veliaj: Rezmi Hoxha u bë, për pak vite, ‘strumbullari’, në kuptimin më të mirë të kësaj fjale, i përballjes së shoqërisë së Kosovës me regjimin gjenocidal të Beogradit, dhe e spostoi veprimtarinë e tij në Shqipëri. Këtë e bëjmë për t’i dëshmuar vetes sonë se një qytet i ndriçuar kulturalisht, si Tirana e 2024-ës, ka fuqi të pranojë gabimet e veta dhe të përjetësojë kujtimin e asaj ngjarje të dhimbshme, sipas motos që krimet të cilat harrohen janë të destinuara të përsëriten. Autorët e këtij krimi shtetëror, nuk dolën kurrë para drejtësisë në mënyrë të qartë për t’u dënuar.
Remzi Hoxha, ishte një biznesmen dhe aktivist për çështjen etnike shqiptare në Kosovë. Ai u rrëmbye në qendër të Tiranës në vitin 1995 dhe fati i tij ka mbetur mister.
Tv Klan