Një tjetër rrjedhje pritet të ndodhë në gjirin e ligjvënësve socialistë. Eduard Alushi dhe albert Çaçi janë dy emrat më të përfolur ditët e fundit të cilët mund t’i largohen grupit parlamentar socialist për t’iu bashkuar në shtator grupimit të Ilir Metës. Për Televizionin Klan deputeti i Vlorës Alushi nuk e ka mohuar një zhvillim të tillë me hapjen e sesionit të ri parlamentar, ndërsa deputeti Çaçi nuk është shprehur ende për mediat. Me konfigurimin e ri parlamentar pas një jave dhe dy deputetët e Partisë Bashkimit për të Drejtat e Njeriut Goxhi dhe Karamelo mund të kalojnë me grupin parlamentar që do të krijohet pas shpalljes së partisë së re të socialistëve.

Goxhi: “Kemi treguar që bashkëpunojmë me forca përparimtare dhe integruese në Shqipëri dhe jemi të hapur për të bashkëpunuar me çdolloj force pse jo dhe me zotin Meta.”

Nisur nga mosmarrëveshjet me kryetarin Vangjel Dule për qëndrimin ndaj Partisë Socialiste në koalicion, institucionet e partisë ende nuk janë shprehur, thotë deputeti Goxhi.

Goxhi: “Zyrtare nuk është mbledhur as kryesia dhe as sekretariati për të marrë një vendim në lidhje me këtë. Institucionet e partisë, besoj se duhet të shprehen ndoshta para datës 6 shtator.” /tvklan.al