Njësia bashkiake nr.6 nuk gjen ende bashkëpunim me bashkinë e kryeqytetit në lidhje me projektin e kësaj të fundit për rikonstruktimin dhe asfaltimin e rrugëve.
Sipas kryetares së kësaj njësie bashkiake, Luzhiana Abazaj, bashkia e Tiranës po kryen asfaltim sipërfaqësor të rrugëve, të cilat kërkojnë një rehabilitim total dhe kjo pa bashkëpunimin e njësisë bashkiake nr.6, e cila përfaqëson këto rrugë dhe këtë komunitet.
Luzhiana Abazaj: “Çuditërisht mbrëmë gjendem para një fakti ku ndërmarrja nr.2 e bashkisë së Tiranës ndërhyn në një rrugë ku me mendimin e tyre thanë që po bëjnë mirëmbajtjen e kësaj rruge. I kërkoj në mënyrë të vazhdueshme bashkisë së Tiranës bashkëpunim, kjo për t’i thënë atyre që jo se unë jam kundër për t’u bërë këto rrugë, por duhen bërë sipas standardeve bashkëkohore ku synon dhe vetë kryetari i bashkisë për t’i bërë. Në asnjë nga shkresat që unë kam dërguar, a kërkesat që unë kam bërë duke nisur që nga kryetari i bashkisë, nënkryetari dhe vetë drejtorët e ndërmarrjes që ai ka në varësi nuk më ka kthyer asnjë përgjigje”.
Janë disa kërkesa për bashkëpunim nga kjo minibashki, por të cilat ende nuk kanë marrë përgjigje nga kryebashkiaku Rama./tvklan.al