Serbia ka dëbuar ambasadoren e Malit të Zi, Anka Vojvodiç, dhe atë të Maqedonisë, Aleksandër Vasiljevski, duke i shpallur ata të padëshirueshëm.
Ky veprim përbën shenjën e parë të tensioneve mes Beogradit me Podgoricën dhe Shkupin pas njohjes që këto të fundit i bënë Kosovës.
Ndërkohë ambasadori serb në Malin e Zi, Zoran Lutovaç, nuk përjashtoi mundësinë që Serbia të ngrejë padi kundër republikës me të cilën ka qenë në federatë deri në vitin 2006.
Të njëjtën gjë pritet që Beogradi të bëjë edhe kundër Shkupit, madje dhe t’ia vështirësojë procesin e negociatave me Athinën për çështjen e emrit.
Pas njohjes që Mali i Zi dhe Maqedonia i bënë shtetit më ri të Evropës Beogradi u shpreh mjaft i zhgënjyer.
I menjëhershëm ishte reagimi i Departamentit Amerikan të Shtetit që tha se kjo do të ndihmojë të gjithë rajonin të lëvizë më shpejt drejt integrimit euroatlantik.
Zëdhënësi i këtij departamenti, Sean McCormack, tha se rritja e numrit të vendeve që e kanë njohur Kosovën është vërtetimi i përparimit të saj në vendosjen e një shoqërie stabël, multi-etnike dhe demokratike që synon ndërtimin e raporteve normale politike dhe ekonomike me fqinjët e saj dhe në përgjithësi me bashkësinë ndërkombëtare.
Analistët vendas e përshëndetën këtë vendim duke thënë se ai ka ardhur në momentin e duhur dhe ka rrëzuar ndjenjën e triumfit në Serbi pas miratimit që asambleja e përgjithshme e OKB-së i bëri rezolutës së Beogradit./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle