Gati 5 muaj që nga shpallja e pavarësisë, Kosova deri më tani është njohur gjithsej nga 43 shtete, por qeveria e Kosovës është optimiste për periudhën e ardhshme dhe paralajmëron njohje të tjera.

Në një intervistë për Klan ministri i punëve të jashtme i Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni, ka paralajmëruar se në vjeshtë pritet  të ketë një valë të re të njohjeve.

Skënder Hyseni: “Ne jemi të sigurt që do të ketë shumë njohje prapë, shpejt dhe para vjeshtës, para shtatorit kur do të zhvillohet asambleja. Do të zhvillojë punimet sesioni i 63 i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.”

Kryediplomati Hyseni ka thënë se ka sinjale të qarta dhe rritja e numrit të shteteve që do ta njohin Kosovën është çështje ditësh. Një nga shtetet e ardhshme pritet të jetë Arabia Saudite.

Skënder Hyseni: “Po ka shumë sinjale, shikoni ka ditë tani për herë të parë që po ua them juve publikisht, sepse unë nuk kam dëshirë të ngjall as shpresa të tepruara, por as defetizëm. Ka ditë që më është thënë që Malta do ta njohë Kosovën, ka ditë që më është thënë që Belizi do ta njohë shumë shpejt, Arabia Saudite do të njohë shumë shpejt. Mund t’iu them që e pakta 5 herë më është thënë nga burime shumë të besueshme që Malta është çështje veç dite kur do ta marrë vendimin ose Arabia Saudite ose Jordania ose shumë vende të tjera.”

Institucionet e Kosovës, Hyseni ka thënë se po bëjnë mjaft në çështjen e lobimit, por ai potencon se një kontribut të madh në këtë drejtim janë duke e bërë shumë miq amerikanë dhe evropian. Tashmë presidenti i Kosovës në konsultim me kryeministrin kanë hapur rrugën për fillimin e instalimit të 10 ambasadave të para ndër to edhe në Tiranë.

Skënder Hyseni: “Në të njëjtin rrafsh punohet edhe për themelimin e misionit diplomatik në Tiranë. Tirana është në mesin e vendeve të cilat Kosova i ka parë me prioritet të lartë të komunikimit sistematik diplomatik.”

Njohja e fundit e Kosovës është bërë më 12 qershor nga Sierra Leon. Ministri Hyseni është optimist se në sesionin e ardhshëm të Asamblesë parlamentare të OKB-së që do të mbahet  nga fundi i shtatorit, Kosova do të ketë rastin që të ketë takime të shumta në këtë rast priten njohje të reja./tvklan.al