Shqipëria do të vazhdojë të lobojë për njohjen e shtetit kosovar nga shtete, të cilat ende nuk e kanë ndërmarrë këtë hap. Kjo garanci është dhënë nga Tirana zyrtare e ministrit të punëve të jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, i cili është duke zhvilluar një vizitë në vendin tonë.

Gjatë takimit mes dy ministrave të jashtëm Basha e Hyseni është folur për ecurinë pozitive që ka patur deri tani procesi i njohjes së shtetit të ri të Kosovës, proces i cili në këndvështrimin e të dy kryediplomatëve duhet të konsolidohet.

Lulzim Basha: “Përpjekjet tona nuk kanë reshtur në këtë drejtim, ato i kanë paraprirë dhe 17 shkurtit dhe do të vazhdojnë intensivisht deri në përfundimin me sukses të objektivave tona. Të cilat janë objektiva jo thjesht në mbështetje të Kosovës, por janë objektiva në mbështetje të paqes dhe sigurisë në rajon.”

Skënder Hyseni: “Natyrisht dhe Kosova ka pritur dhe pret njohje më të shumta nga bota arabe, nga vendet islamike. Asnjë lloj paralele në mes të Kosovës dhen Osetisë së jugut ose Abkazisë nuk mund të tërhiqet. Janë çështje krejtësisht të ndryshme.”

Lulzim Basha: “Dhe unë ndaj plotësisht analizën e ministrit të jashtëm të Kosovës. Që në fakt është një analizë e bërë dhe e përsëritur me të gjithë qarqet autoritative. Jo vetëm të komunitetit të vendeve demokratike që kanë njohur Kosovën, por edhe përfaqësues autoritativ të organizatave ndërkombëtare. Argumentet apo qasja për një paralelizëm është sipërfaqësore, do të thoja është më e cekët se sa lana në gusht.”

Skënder Hyseni: “Ju bëj me dije se në fund të javës tashmë unë do të bëj një vizitë Xheda, do të kem  një takim me sekretarin e përgjithshëm të organizatës së konferencës islamike. Me qëllim të animimit të kësaj konference në favor të njohjes së pavarësisë së Kosovës.”

Ministri i jashtëm kosovar ka marrë të njëjtën mbështetje për bashkëpunim mes diplomacive të vendeve tona për progres të avancimit të njohjes së Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare edhe nga presidenti Topi, kryeministri Berisha, kryeparlamentraja Topalli. Ndërkohë Hyseni është pritur në një takim gjatë vizitës së tij në Tiranë edhe nga kryetari i opozitës Edi Rama./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka