“Jemi kafshë sociale”, thoshte Aristoteli mijëra vjet më parë. E jeta nuk ka ndryshuar shumë që atëherë, të njëjtat fenomene, të njëjtat kërkesa dhe probleme përbëjnë qenien njerëzore.

Sipas një studimi të fundit mbi faktorët që ndikojnë në lumturinë personale, rezulton se kryeson statusi social. Nëse jemi të respektuar dhe admiruar nga shtresa shoqërore që na rrethon, kjo sjell lumturi. Por në rastet kur dikush tjetër ka një status social më të lartë, ky është faktor kyç në reduktimin e gëzimit brenda vetes. Në bazë të eksperimenteve të realizuara në këtë fushë tek qindra studentë në SHBA, ka rezultuar se sa më lart ishin ata në hierarkinë shoqërore, aq më të lumtur ishin.

Në të gjitha eksperimentet dhe analizat e realizuara mbi psikologjinë dhe sjelljen njerëzore, paraja nuk ka rezultuar të jetë faktor që ndikon në mënyrë primare, por gjeneza familjare, intelektuale, kulturore të cilat japin më shumë vetëbesim. E po ashtu, janë element që ngjall më së shumti zili e trishtim.

Pra mirëqenia jonë personale varet edhe nga ajo çka shoqëria mendon për ne, dhe kjo shpjegon në njëfarë mënyre motivin përse vazhdojnë të ekzistojnë hierarkitë sociale. Barazia brenda një grupi, qoftë klase shoqërore apo shteti është dhe mbetet një utopi.

Klan News