Emisioni “Stop” udhëtoi në Karbunarë të Vogël, Lushnje, ku qytetari Luftëtar Halit Arapi tregoi, se nuk arrin dot të kalojë në pikën doganore të Kakavijës dhe Brindizit, pasi me të dhënat e tij, del në sistem një foto e një personi tjetër.
“Në vitin 2000 u paraqita me vizë, kontratë pune në Greqi. Në 2010 me pasaportën e re u paraqita në pikën kufitare të Kakavijës. Më vunë në kryq, apelas, shumë person i rrezikshëm. U ktheva nuk e mora vesh se ça kisha. U ktheva prapë, apelas prapë. Vjet jam paraqitur në Brindizi. Aty kuptova se për çfarë bëhet fjalë. Pasi u paraqita në Brindizi më shikonin mua dhe foton e një tjetri. Fotoja është në sistem. “Mama mia ça kanë bërë kështu” thanë. Këtë ta gjejë pala shqiptare ose dogana greke, është bërë një ngatërresë atje më thanë”, tregon Arapi.
Ai thotë, se e ka gjetur vetë, që personi tjetër është Ilir Gjon Arapi e për këtë ngatërresë, Luftëtari ka 15 vjet, që nuk kalon dot doganat e huaja.
“Emri dhe mbiemri ishte i imi, por fotoja e dikujt tjetër. Kam të dhënat të gjitha të atij personit këtu. Kam 15 vjet pa shkelur në të gjithë Europën. Unë nuk kaloj dot se jam i bllokuar jashtë mase”, thotë ai.
Emisioni “Stop” u interesua në gjendjen civile të njësisë Karbunarë e Vogël dhe u pohua, që Luftëtar Halit Arapi ka vetëm një dhe janë të dhënat, me të cilat ai është pajisur edhe me kartë identiteti dhe me pasaportë.
Gazetarja: A ka një Luftëtar Arapi tjetër apo është vetëm zotëria dhe cili është numri personal që figuron për këtë zotëri.
Punonjësja: Atëherë shtetasi është Luftëtar Halit Arapi… me këtë numër personal nuk ka asnjë shtetas tjetër të regjistruar. Sa për informacion që ka të tjerë Luftar Arapi, është i vetmi në sistemin e gjendjes civile.
Pas këtij hapi, ne kontaktuam me Interpol Tirana dhe na kthyen përgjigje, se në sistemin TIMS dhe atë të Interpolit, shtetasi në fjalë, nuk ka asnjë problem dhe është i pastër.
Drejtoria për Çështjet Konsullore koordinohet me strukturat e vendeve europiane të Shengenit, për të hequr emrin e Luftëtar Halit Arapit nga lista e zezë në kufi.
Këta arritën të gjejnë një zgjidhje pas komunikimit me ambasadën tonë me autoritetet greke ku thuhet se pas krahasimit të fotografive nuk është i njëjti person me atë që është regjistruar në sistemin e informacionit të Shengenit gjeneratës së dytë.
Për rrjeDhojë të dhënat e tij u hoqën dhe automatikisht Arapi mund të udhëtojë i lirë./tvklan.al