Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së përbashkët me Kryeministren e Italisë Giorgia Meloni u pyet edhe lidhur me përfitimet që do të ketë ekonomia lokale nga marrëveshja për emigrantët e firmosur mes dy vendeve.

Rama theksoi se nuk i ka kërkuar asnjë Euro qeverisë italiane dhe se kjo është një marrëveshje e bërë me zemër. Kryeministri tha se nuk ka bërë asnjë kalkulim për fitimet që mund të ketë ekonomia lokale.

Edi Rama: E kam përsëritur vazhdimisht që ky proces i përfshirjes së Shqipërisë në komunitetin e vendeve demokratike, anëtarësimit të saj në NATO apo në BE, si dhe fakti që Shqipëria pas qindra vjetësh nën regjime të imponuara ka zgjedhur që të jetë pjesë e këtij komuniteti dhe për këtë ka aleat strategjik, Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ashtu siç ka të gjithë të mirat ka edhe pjesën që është sfiduese. Pra raportet në këtë komunitet nuk janë një menu që kur ti do të kesh më shumë mundësi për të investuar në një rrugë të daljes përfundimtare të tunelit të shkuarës dhe ngjitjen në maje ku aspiron dhe nga ana tjetër, pasi këto i ke marrë të gjitha kur vjen puna te sfidat dhe ato momente që nuk janë momente lumturie, por janë momente pagjumësie të thuash jo.

Ne mund të thoshim jo siç thanë gjithë të tjerët kur ata në Kabul u lanë në mëshirë të fatit, por duke qenë një vend që jemi në NATO por nuk kemi një fuqi ushtarake për të përcaktuar fatet e luftrave, na takonte ne edhe për traditën tone… Mos harroni jemi i vetmi vend në botë që kemi pasur më shumë hebrej pas Luftës së Dytë Botërore se sa para, pikërisht sepse ne jemi lindur në një vend që në ADN-në e vet e ka të shkruar që ‘Shtëpi e shqiptarit ështe e zotit dhe e mikut’ dhe prandaj ne bëmë atë gjest jo i kalkuluar në ndonjë interes as duke menduar se çfarë do të fitojmë në pikëpamjen ekonomike sepse e thashë edhe më parë që ne po pagujmë për qëndrimin e disa qindra afganëve me shpenzimet tona.

Kam dëgjuar lloj lloj gjërash që as nuk mund t’i imagjinoja në mediat italiane se çfarë fshihet pas kësaj marrëveshje ndërkohë që ne nuk kemi kërkuar asnjë Euro sepse në momentin që do të kërkonim Euro nuk do të ishim ne, një mik dhe një aleat që është aty kur një mik i madh si Italia thotë ‘a mund të na jepni një dorë’. Çfarë do të fitojë ekonomia lokale këtu nga kjo marrëveshje, ne nuk e kemi bërë këtë kalkulim. Kjo është e vërteta. Dhe është e tmerrshme të shohësh se si kjo marrëveshje është komentuar edhe deri tek dhënia e tenderave ndërkohë që gjithçka administrihet nga pala italiane. Ne kemi dhënë disponibilitetin e shtëpisë tonë për një problem që Italia na tha n’a ndihmoni që ta adresojmë bashkarisht.

Çfarë kalkulimesh bëri qeveria italiane kur nisi këtu repartin më të madh të zjarrëfikësve që vinin për herë të parë në Shqipëri dhe rrezikonin jetën e tyre!? I kam parë vetë. Çfarë kalkulimesh bëri qeveria italiane? As nuk tha shiko se kjo kushton kaq, por i bëri, sepse kështu funksionon kjo marrëdhënie dhe kështu funksionon ky raport special që kemi me Italinë.

Ndërkohë gjatë fjalës së tij Rama sqaroi se këtë marrëveshje mund ta shfrytëzoj vetëm Italia dhe asnjë vend tjetër.

Edi Rama: Jua kam thënë partnerëve të tjerë kur kanë thënë që këtë që bëtë me Italinë bëjeni edhe me ne, ju kam thënë jo. Ne këtë mundësi kemi dhe këtë mundësi mund ta shfrytëzojë vetëm Italia dhe asnjë vend tjetër, për njëmijë e një arsye të së sotmes dhe të së nesërmes. Nuk ka këtu kalkulime të asnjë natyre. Pastaj funksionon apo nuk funksionon do ta zbulojë koha, por ama kjo është një marrëveshje zemre dhe përgjegjësie në raport me një miqësi strategjike, dhe komunitet që është sot në një situatë që është në pikëpyetje për mënyrën se si do të adresojë këtë fenomen.

/tvklan.al