Për shumë arsye adoleshenca konsiderohet si një ndër periudhat më të vështira. Ndryshimet fizike dhe hormonale janë vetëm njëri aspekt i saj , teksa më shqetësuesja për prindërit është mënyrë se si fëmijët e tyre po e përjetojnë atë.
Mëngjesin e kësaj të hëne në studion e “Shije Shtëpie” në Tv Klan të ftuarit folën rreth adoleshencës, si prindër ata tregojnë vështirësitë që hasin në menaxhimin e situatave me fëmijët e tyre. Gazetarja Mirilda Tili tregoi se shpesh herë gjendej e papërgatitur rreth asaj që vajza apo djali i saj i thotë.
Për këtë ajo jep një rast kur vajza e saj i tregon një bisedë që kishte bërë me një nga shoqet e klasës, kur kjo e fundit i shprehte se nuk ndjehej vajzë. Duke u bazuar tek ky rast, por dhe shumë të tjera të ngjashme Mirilda Tili thotë se është shqetësuese mënyra se si këta adoleshentë e sotëm mendojnë.
Mirilda Tili: Dikur konsiderohej problem në klasë nëse bëhej një zhurmë e vogël, mblidhej klasa dhe bëhej nami. Sot sa herë që shkruan mësuesja në grupe unë filloj e dridhem sepse them çfarë ka ndodhur, çfarë ka ndodhur tjetër sepse gjenden doreza grushti në klasë, kurse telefonat tashmë janë bërë një gjë normale pavarësisht përpjekjes për “jo telefon në klasë”. Edhe pse mund të jetë 12 ose 13 vjeç ka deklarata të tipit, “nuk e di, nuk ndjehem se jam vajza”, thotë vajza dhe ti këtë shqetësimin që ke në klasë duhet të fillosh dhe ta trajtosh me fëmijën tënd në shtëpi. Pra këto fenomene dhe këto probleme mua më kanë bërë të kuptoj që fëmijët tanë, mosha e adoleshencës, janë kaq shumë të sulmuar dhe kaq shumë të rrezikuar nga çdolloj ane, sepse tashmë rreziku na ka ardhur në shtëpi. Nëse më parë ne rrezikoheshim të rrëzoheshim kur luanim, apo të ngacmoheshim me njëri-tjetrin, ne sot rreziku na ka hyrë në shtëpi, sepse na ka hyrë nëpërmjet telefonit dhe kësaj sëmundjes së re që po përcjell shoqëria.
Katerina Trungu: Ka ndodhur në klasën e vajzës një histori e tillë?
Mirilda Tili: Vajzës sime i është deklaruar nga një shoqja e vet “që nuk po njoh veten”. Dhe ti je duke i thënë fëmijës që është normale të mos njohësh veten sepse je vetëm 12, 15 apo 18 vjeç, por mua më duket herët, kur unë kujton mendimet e mia kur kam qenë 12 vjeç, i bie që unë kam qenë infantile komplet krahasuar me çfarë mendime po më sjell ime bijë apo im bir në shtëpi. Apo deklarata të tipit “unë nuk do ta doja kurrë një partner që kujdes më shumë për paraqitjen e jashtë se sa unë,” ky muhabet bëhet fjalë para dy vjetësh, kur ishte vetëm 10 vjeçe. Pra çfarë është duke bluajtur në mendje kjo rini, ky brez?! Kam përshtypjen se adoleshenca është bërë më e rrezikshme për prindërit sepse nuk dimë si të sillemi. Unë të paktën flas për veten time, nuk di se si të përballem, kam filluar hap enciklopeditë për çdo pyetje që më vjen në shtëpi. Nuk kam turp t’i pranoj fëmijës që këtë përgjigje nuk e di më lër kohë ta mendoj, por nga ana tjetër fëmija do përgjigje dhe nëse nuk i jap unë një përgjigje të shëndetshme, sulmet që iu vijnë nga lojërat, nga bashkëmoshatarët, nga mendësia që ti mund të jesh 12 vjeç, je vajzë por ndihesh djalë, po s’ka problem se mund të marrësh trajtimin hormonal dhe të bëhesh djalë. Më kap paniku, unë ndjehem e papërgatitur për t’u përballur me këtë lloj situate./tvklan.al