1378 qytetarë janë gjobitur nga policia gjatë ditëve të fundit në të gjithë vendin pasi kanë shkelur masat anti-covid. 1334 qytetarë janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse dhe janë gjobitur me 13 mijë Lekë të vjetra.

Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në komisariat 29 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin, janë ndëshkuar me gjobë 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë. 

Në vijim të kontrolleve për zbatimin e vetëkarantinimit të detyrueshëm nga shtetasit e infektuar me COVID-19, janë evidentuar 6 shtetas që kanë shkelur rregullat e vetëkarantinimit, të cilët janë ndëshkuar me masë administrative 700.000 Lekë secili. 

Gjatë kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, shërbimet e policisë kanë evidentuar 2 lokale në të cilët ushtrohej aktiviteti në kundërshtim me protokollet e sigurisë. Për secilin nga subjektet u vendos gjobë 1.000.000 lekë.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve janë konstatuar 36 qytetarë që lëviznin në rrugë pas orës 22:00, pa arsye të domosdoshme, të cilët janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 Lekë secili.  /tvklan.al