Profesori Hugh Montgomery, i cili punon në njësinë e kujdesit intensiv në Spitalin Whitington, në veri të Londrës ka shprehur revoltimin dhe zhgënjimin e tij me njerëzit në një intervistë në një radio angleze “Radio 5Live”.

Ai shprehet se është “e tmerrshme” të shohësh familje duke u goditur nga Covid-19 dhe ndihet i zemëruar me njerëzit që nuk po respektojnë masat për të frenuar përhapjen e virusit, ai vazhdon të shohë njerëz që nuk mbajnë maska ​​në fytyrë apo distancime sociale.

Mjeku ka thënë se shumë njerëz nuk respektojnë masat e marra sepse egoizmi i jep atyre një justifikim për të vazhduar më tej gabimin”.

“Kushdo që po e dëgjon këtë, që nuk i mban maskat dhe sillet kështu, ata kanë gjak në duar, ata po e përhapin këtë virus dhe njerëzit do të vdesin. Ata nuk e dinë se kanë vrarë njerëz, por e kanë bërë. Unë jam duke parë familje të tëra duke u zhdukur këtu, kjo duhet të ndalet. Spitalet janë në telashe për momentin dhe me një numër të mbingarkuar pacientësh”.

Duke folur për variantin e ri të koronavirusit i cili u identifikua në Mbretërinë e Bashkuar dhe është përhapur në javët e fundit, mjeku tha se transmetueshmëria e tij është pak më e lartë.

Ai shtoi se pacientët po tregojnë të njëjtat simptoma si lloji origjinal dhe theksoi se varianti i ri mund të parandalohet duke ndjekur rregullat themelore të tilla si larja e duarve dhe mbajtja e një distancë nga të tjerët.

“Po më zemëron shumë fakti që njerëzit po fajësojnë virusin. Nuk është virusi, janë njerëzit. Njerëzit nuk janë duke larë duart e tyre, ata nuk po mbajnë dy metra distancë, nuk vendosin maskat e tyre. Unë kam parë njerëz vijnë në këtë spital këto dy ditët e fundit pa maska, sikur nuk po ndodh asgjë”, është shprehur Profesori Hugh Montgomery. /tvklan.al