Ata u takuan për herë të parë në Janar të vitit 1997, të dy ishin të rinj dhe të etur për karrierë, megjithatë nuk mund të mohonin dashurinë që kishin për njëri-tjetrin. Të privuar nga pamundësia dhe kohët e vështira të atyre viteve nuk e thanë me zë të lartë atë që ndienin…
Duket si një histori filmash romantikë ajo e gazetares së njohur Jonila Godole dhe ambasadorit Christian Steiner. Pas më shumë se 22 vitesh në distancë jeta i përball sërish për të provuar dhe njëherë dashurinë e fortë e cila nuk ishte venitur me kohën.
E ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan, Jonila Godole rrëfen me shumë emocion atë çast, atë ritakim që i ndryshoi jetën. “Nuk të lë më të ikësh, nuk e bëj më atë gabim,” kujton ajo fjalët e Christianit.
Rudina Magjistari: Në 2019 si ndodhi ritakimi, pra ti kur e mësove lajmin që ai do të rikthehej si ambasador në Shqipëri?
Jonila Godole: Kjo është në fakt tamam për libër ose për film, ritakim. Në vjeshtën e 2019-ës vijnë këtu dy ambasadorë në të njëjtën kohë edhe ambasadori gjerman i cili për fat të keq tani nuk jeton më, me të cilin ka pasur një miqësi shumë të fortë dhe Christian Steiner. Në momentin që unë mora e-mailet pasi bashkëpunoja me të dyja ambasadat me projektet që unë bëja në fushën e kulturës dhe të kujtesës, u bë një kryqëzim në kokën time në mendjen time që ishte Peter Steiner dhe Christian Cingraf, pra u bashkuan emrat dhe mbiemrat dhe unë isha shumë e sigurt tek takimi kur shkova për të takuar Christianin që do iki të takoj zotin Peter Steiner, kështu që nuk e dija fare që ishte ai. Në takimin e parë që patëm, ishim në një darkë ku kishte dhe persona të tjerë aty, unë e sjellshme, por nuk është se i shikoj burrat tani me shumë vëmendje dhe i dhashë vetëm dorën. I thashë “ është kënaqësi e madhe që takohemi zoti ambasador Steiner,” por thjesht i dhashë dorën dhe nuk e pashë me shumë vëmendje.
Rudina Magjistari: Pra nuk e dallove në moment që ishte ai?
Jonila Godole: Fare! Nuk e dallova fare, kishin kaluar 22 vite, gati 23 vjet dhe unë kisha njohur një Christian shumë elegant që ishte pak vite më i madh se unë, pra ishim moshatarë, pastaj takova një burrë shumë serioz. Kisha takuar një djalë të ri, një djalë më të hapur, kurse tani ai ishte në rolin e tij të ambasadorit, i veshur me kostum dhe as nuk e dallova fare. Kur unë i dhashë dorën dhe i thashë “kënaqësi që takohemi,” ai tha “ po ne njihemi zonja Godole”, dhe aty thashë nga e njoh unë këtë.
Rudina Magjistari: Se ty nuk të përkonte as emri i plotë.
Jonila Godole: Fare sepse unë thoja që zotin Peter Steiner nuk e kam takuar ndonjëherë. Më tha “jemi takuar në Janar të ’97-ës”, kur e tha atë më ra si një rrufe dhe thashë “nuk ka mundësi, ky është Peter Steiner, ky nuk është Christiani,” pra kisha këtë mospërputhje të emrit, pastaj i pashë dhe e dallova, por nuk doja që të bija në sy. Nuk e dhashë veten fare dhe vazhduam darkën megjithatë personat e tjerë, por normalisht bëra një kërkim në celular me shpejtësi për të parë se kush është ambasadori i ri që ka ardhur dhe ishte Christian Steiner.
Rudina Magjistari: Është komplet histori filmi.
Jonila Godole: Por, le ta themi që deri në atë moment nuk kishte ndonjë gjë se janë dy njerëz që takohen pas kaq vitesh. Unë nuk e dija se si ishte jeta e tij, dhe unë kisha pasur jetën time, kështu që nuk kishim absolutisht asnjë informacion, por pastaj filluam që të takoheshim për punë, për ato projekte të përbashkëta që unë kisha me paraardhësin e tij. Dhe Christiani më tha “njëherë e bëra atë gabim që të lashë të ikje pa të thënë se çfarë ndjeja për ty, por tani nuk e bëj më këtë gabim.”/tvklan.al