Vlora dhe plazhet e Adriatikut kanë qenë destinacionet më të preferuaara turistike gjatë këtij viti. Sipas ministrit të Turizmit Bashkim Fino, korriku ka shënuar pikun e sezonit, ndërsa fluksi i turistëve është rritur me 18% në krahasim me një vit më parë.
Bashkim Fino: “Tendenca e këtij sezoni turistik ka qenë, dhe vërejmë që plazhi i Durrësit, i Vlorës, i Shëngjinit dhe i Velipojës ka pasur një fluks shumë të madh të turistëve, qoftë këta kosovarë, apo qoftë edhe të huaj. Kjo ka ardhur si rezultat i njohjes së mirë të tregut nga ana e tyre dhe e njësive akomoduese të cilat kanë bërë një drejtim të politikës së tyre, sidomos në drejtim të çmimeve shumë konkurruese. Më vjen keq, por duhet ta them që Saranda ka qenë, do të thoja, qyteti me një fluks më të vogël, flas për qershorin dhe korrikun, nuk kam parasysh këtu shifrat e tanishme të gushtit që mendoj se janë disi më mirë nga të dhënat operative që ne kemi, më dobët në raport me këto qytetet e tjera që unë përmenda më lart dhe kjo, kam përshtypjen, që ka ardhur si rezultat i një situate të pastabilizuar turistike ndërtimore të qytetit të Sarandës, të çmimeve tepër të larta në raport me këto qytetet e tjera që unë sapo thashë më lart.”
Sipas Ministrisë së Turizmit, afro 300 000 të huaj kanë vizituar për qëllime turistike vendin tonë, ndër të cilët pjesën dërrmuese e përbëjnë shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë.
Bashkim Fino: “Mendojmë që të kapim rreth 300 000 të huaj të ardhur në Shqipëri. Natyrisht pjesën më të madhe të saj, unë mendoj se e zënë kosovarët dhe shqiptarët e Maqedonisë, që zënë rreth 200-250 000, ndërsa pjesa tjetër është natyrisht nga vendet e tjera evropiane.”
Ministria e Turizmit parashikon që më 27 shtator në Ditën Ndërkombëtare të Turizmit të organizojë konkursin për fotografitë më të mira turistike, materiale të cilat do t’i shërbejnë fushatave publicitare të turizmit shqiptar. /tvklan.al