Mehmeti, vëllai i madh i katër motrave, u desh që të merrte rolin e kryefamiljarit në moshën 24-vjeçare kur babai i tyre ndërroi jetë. Salushja e ndau historinë në “Ka Një Mesazh Për Ty” duke rrëfyer kujtimet e saj që i kishte ruajtur në valixhen e drurit që e solli në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.

Atë valixhe ia kishte bërë vëllai me duart e veta, të cilën Salushja  e merrte në shkollë në mungesë të një çante por me dëshirën e madhe për t’u shkolluar. Vëllai dhe bashkëshortja e tij, Lefteria, sakrifikuan tepër për të dhe sot ajo i ka ftuar për t’u shprehur mirënjohjen e pakufijshme.

Salushe: Vëlla! Faleminderit shumë që nga dita që na ka vdekur babai e deri më sot ti je kujdesur për mua njëherë në veçanti, për çdo gjë, çfarë nevoje kam patur unë, ti ke qenë gati.

Mehmet: E kam patur për detyrë.

Salushe: Jo. Ti më çove në shkollë, më dhe edukatën, më dhe dijen, më dhe kulturën, më dhe çdo gjë. Ti më martove, më nxore nuse me fustan të bardhë edhe pse s’kishe, me gjithë nusen tënde. Ajo hoqi rrobat e trupit të vet dhe m’i dha mua, më çoi në shkollë të mesme.

Mehmet: Po, e vërtetë. S’kishte, ishim fukarenj.

Salushe: Je kujdesur për çdo gjë, edhe gjënë më të vogël thoshe “çfarë do, çfarë të mungon?” Vija për 5 lekë dhe nuk ta thosha se më vinte keq nga ajo që s’kishim, ashtu ishte koha. Ishim jetimë, na rrite e na edukove e çdo gjë.

Mehmet: Rrofsh, faleminderit shumë!

Salushe: Jam mirënjohëse gjithmonë për ju të dy! Edhe sot që unë jam mosha e tyre me tre kalamaj që i kam të rritur, të martuar, jam me nipër, edhe sot e kësaj dite ti vjen te unë për çdo hall që kam  unë.

Mehmet: Motër!

Salushe: Për çdo gjë që kam unë ti je gati./tvklan.al