Si organizata ndryshoi disa herë qëndrimin

Maskat mbrojtëse duhet të mbahen nga çdo person duke filluar nga mosha 12 vjeç. Është ky rekomandimi i fundit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë si masë kundër përhapjes së koronavirusit që shton se kjo barrierë është e nevojshme sidomos në rastet kur nuk mund të garantohet distanca prej 1 metër nga të tjerët.

Në bazë të një dokumenti të publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetit nuk rekomandohet mbajtja e maskës për më të miturit nën 5 vjeç ndërsa nga 6 në 11 vetëm në rast të veçanta kur ndodhet në zonë me rrezik të lartë transmetimi, apo nëse janë nën mbikëqyrjen e mësuesve apo administratorëve në shkolla apo qendrat e kujdesit.

Por çështja e maskave ka qenë gjithmonë objekt diskutimesh sidomos kur bëhet fjalë për OBSH-në, e cila që nga nisja e pandemisë ka dhënë sugjerime kontradiktore.

Më 6 Prill, kur virusi ishte zbuluar tashmë, OBSH deklaroi se maskat ishin thelbësore vetëm për të sëmurët dhe për personelin shëndetësor dhe se jepnin një ide të rreme të mbrojtjes te të tjerët. Pra i bëri maskat pothuajse të panevojshme. Por 2 muaj më vonë, në 6 Qershor, ekspertët ndërkombëtarë e ndërruan sugjerimin.

“Vetëm maska nuk është e mjaftueshme, por shërben për të mbrojtur veten edhe të tjerët”.

Ato duheshin mbajtur në ambiente publike pasi ofronin një mbrojtje nga stërkalat e kontaminuara me virusin. Në fund të Korrikut doli një dokument tjetër i OBSH-së.

“Maskat po, por jo si zëvendësim i masave vendimtare kundër virusit si higjiena e duarve, distancimi, testimi dhe gjurmimi i kontaktit dhe izolimi i rasteve pozitive”.

Në fillim të Gushtit, OBSH nisi një tjetër fushatë ndërgjegjësimi duke sugjeruar në masë mbajtjen e maskave. Duke iu referuar OBSH-së edhe në Shqipëri autoritetet në fillim të pandemisë nuk e sugjeronin mbajtjen e maskave.

Vetëm në 15 Korrik qeveria miratoi sugjerimin e komitetit të ekspertëve për të bërë të detyrueshme mbajtjen e maskës në ambiente publike të mbyllura duke përcaktuar edhe një ndëshkim prej 2 mijë Lekësh për ata që e shkelnin këtë rregull.

Tv Klan