Me 84 vota pro, 19 kundër dhe 68 abstenime, Asambleja e Organizatës së Kombeve të Bashkuara votoi pro rezolutës që e shpall 11 korrikun si ditën ndërkombëtare të viktimave të genodicidit të Srebrenicës.
Kina dhe Rusia bashkuan votat kundër kësaj rezolute, duke i qëndruar në krah të Serbisë. Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit, si Kroacia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut votuan pro.
Rezoluta e iniciuar nga Gjermania e Ruanda u kundërshtua ashpër nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Në fjalën e mbajtur para votimit ai e cilësoi rezolutën si shumë të politizuar dhe që nuk do t’i kontribuojë pajtimit as në Bosnje e Hercegovinë, as në rajon.
“Kjo rezolutë është tejet e politizuar. Nuk ofron ripajtim në Bosnjë Hercegovinë dhe në rajon, përkundrazi, kjo rezolutë do të thellojë ndarjet. Ajo do hapë kutinë e pandorës dhe të tjera rezoluta do të propozohen”, tha Vuçiç.
Rezoluta, ndër të tjera, bën thirrje edhe për “dënimin pa rezerva të çdo mohimi të gjenocidit në Srebrenicë, si dhe të veprimeve që i glorifikojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë edhe ata që janë përgjegjës për gjenocidin”.
Në Srebrenicë, pjesa lindore e Bosnje e Hercegovinës, forcat serbe vranë me 11 korrik të 1995 mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë. Krimi u njoh si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, në vitin 2007.
Për gjenocidin e kryer, deri më tani janë dënuar më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burg. Në mesin e tyre janë edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiç dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiç.
Tv Klan