Shërbimi i onkohematologjisë në Qendrën Spitalore Nënë Tereza, i cili është unik në vend për trajtimin e pacientëve të vegjël me sëmundje të rënda të gjakut, përballet çdo ditë me mungesa të medikamenteve jetike. Shefja e këtij shërbimi Anila Godo shprehet se ky problem është i bartur prej vitesh dhe ende nuk po gjen zgjidhje.
Për pacientët nga e gjithë Shqipëria që i drejtohen këtij shërbimi mungojnë edhe analizat thelbësore për përcaktimin e diagnosës.
Ministria e shëndetësisë ka renditur në prioritete e saj dy shërbime: onkologjikun dhe kardiologjinë, por deri tani nuk duket asnjë rezultat konkret për ndryshimin e situatës. Shefja e shërbimit të onkohematologjisë pediatrike shprehet se vetëm pas realizimit të tenderave për barnat do të mund të shihen rezultatet. Deri atëherë duhet edhe të paktën 2 muaj kohë në të cilën pacientët do të vazhdojnë të kryejnë me para në dorë analizat dhe marrjen e disa prej medikamenteve të tyre jetike.