Këto janë pamjet nga Operacioni Antidrogë i Policisë së Tiranës, i finalizuar pas një hetimi 3 mujor, që u vunë në pranga 19 persona dhe u shpallën në kërkim 5 të tjerë.
Mes të arrestuarve ishte dhe Armando Xheladini, personi që shihni në foto, i akuzuar në Greqi për vrasje me dashje.
Gjatë operacionit u sekuestruan 1.2 kilogramë kokainë, qindra doza heroinë dhe kanabis. Drejtori i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj në një dalje për mediat tregoi zonat ku shpërndaheshin këto lloj drogash.
Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas shpërndanin lëndë narkotike, afër shkollave, dhe në ambiente të tjera të frekuentuara nga të rinjtë, në zona të ndryshme të Tiranës.
Burime pranë uniformave blu bëjnë me dije se bëhet fjalë për zonën e “Myslym Shyrit”, Tiranës së Re dhe Zogun e Zi.
Lidhur me këtë hetim, policia dhe Prokuroria e Tiranës po kryejnë verifikime për persona të tjerë të përfshirë, si dhe vendin nga vinte lënda narkotike.
Dyshimet e hetuesve të antidrogës janë se një pjesë e konsiderueshme e saj vinte nga qyteti i Fierit.
Tv Klan