Lajme Arkiva 2003

Remzi Lani: Është padyshim një histori e shëmtuar një histori e trishtuar, është një rast i paprecedent. Mendoj se dorëheqja është minimumi në një rast si ky.  Nuk besoj se këtu ka ndonjë rast për të diskutuar dhe për të debatuar.

Pirro Misha: Është një dhunë e papranueshme, dhuna e gazetarit është e papranueshme në çdo rast aq më tepër kur dhuna ushtrohet nga një person që ka një detyrë të tillë funksionale të mbrojë qytetarët dhe të mbrojë më tepër shtypin e lirë. Mendoj se duhet të jepte dorëheqjen menjëherë, ai mund  të ketë gjaknxehtësi është njeri, por të thash njeriu përgjigjet për veprimet e tij.

Nikollë Lesi: Kjo është krejtësisht absurde nuk ka ndodhur ndonjëherë që një Ministër Rendi, i cili duhet të ruaj jetën e qytetarëve edhe gazetarëve të ndryshëm, pra thash edhe njëherë akti më civil i Luan Ramës do të ishte dorëheqja. Të kërkonte ndjesë publike dhe të mos shikojë interesat politike dhe të karriges së Fatos Nanos.

Koço Kokëdhima: Më vjen keq që protagonist i kësaj historie është një i njohur dhe më shumë se i njohur një person që unë kam pasur marrëdhënie shumë të mira me të si zoti Rama dhe duhet të abstragojë nga personi. Kjo është një ngjarje shumë e rëndë. Jam informuar edhe për qëndrimin që ka mbajtur kryeministri. Jam në kontakt me të gjithë kolegët e mi që prodhojnë informacion qoftë si investitor, qoftë si punëmarrës. Dua të them se ne kemi një diferencë të madhe në qëndrimin tonë, nga njëra anë si prodhues të informacionit dhe nga ana tjetër si qeveri. Kemi një distancë shumë të madhe dhe ne jemi të vendosur që të kërkojmë deri në fund të përshkallëzojmë qëndrimet tona dhe strategjitë tona për të bërë të pashmangshëm zëvendësimin e ministrit Rama. Sepse vetëm në këtë mënyrë ne mund të tregojmë se kemi kapacitete si shoqëri, kemi kapacitete si vend për të mbrojtur lirinë dhe të drejtat e njerëzve.

Petro Koçi: Duke qenë në politik raste të tilla kthehen në kosto të menjëhershme dhe gjykoj se gjithashtu ka një reagim shumë më të shpejtë, qoftë nga zoti Rama e sidomos edhe nga zoti Nano. Këto ekuivoket vetëm sa e rëndojnë situatën e krijuar. Nuk flas thjesht për një raport mes politikës dhe gazetarisë, por sidomos për staturën e politikanit. Në një vend evropian një ngjarje e tillë pavarësisht nga shkalla e implikimit  do të çonte menjëherë në dorëheqje të politikanit.

Gramoz Ruçi: Jemi ende duke marrë informacionin përkatës, nëse ekziston e vërtet ajo gjë sigurisht do të ketë reflektimet përkatëse.

Gaqo Apostoli: Në këto raste unë di që ai ka dhënë një dorëheqje e cila nuk është pranuar nga kryeministri, kërkon të verifikohen, por në këto raste besoj për të eliminuar të gjithë këtë klimë të tensionuar ka edhe dorëheqje të parevokueshme që edhe kryeministri nuk ka ç’ti bëjë e as presidenti i republikës kështu që situata analizohet më me papërgjegjësi dhe me tensione./tvklan.al