Për afro tre orë opozita protestoi duke bllokuar 6 segmente rrugore nga veriu në jug.
Si pasojë e aksionit të mosbindjes civile, mbështetësit e Partisë Demokratike paralizuan lëvizjen e automjeteve në mbikalimin e Kamzës, rrethrrotullimin e Shkozetit, atë të Bradasheshit, Rrogozhinës, Levanit e Milotit.
Të vetmet që u lejuan të kalojnë qenë ambulancat.
Ndryshe nga protesta e 7 Tetorit, mosbindja civile e të martës ishte e qetë, me përjashtim të disa tensioneve që pati kryesisht në Tiranë dhe në rrethrrotullimin e Bradasheshit.
Afrimi i uniformave blu brenda perimetrit të protestës e ndezi tensionin mes palëve vetëm 30 minuta përpara mbylljes së tubimit.
Në vend të molotovit, sikundër në kryeqytet edhe në rrethrrotullimin e Bradasheshit dhe atë të Shkozetit protestuesit dogjën goma makinash.
Për demokratët nuk ka kthim pas deri në largimin e Kryeministrit Rama.
“Qeveria teknike është e vetmja zgjidhje për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Noka.
Pas përfundimit të mosbindjes civile u hap edhe qarkullimi për automjetet në 6 segmentet e bllokuara, ndërkohë që policia e devijoi për tre orë lëvizjen e tyre në akse të tjera rrugore.
Tv Klan