Protesta e e tretë e opozitës në kuadër të mosbindjes civile  u shoqërua me tensione dhe përleshje fizike me forcat e rendit që kryesisht përdorën ujë me presion për lirimin e rrugëve. Protestuesit bllokuan kalimin e automjeteve në 5 zona kryesore të kryeqytetit. Policia u tha protestuesve se bllokimi i qarkullimit rrugor konsiderohet vepër penale.

Në Rrugën e Elbasanit, protestuesit u udhëhoqën nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka. Ai ka debatuar me efektivët që i kërkuan protestuesve të lironin rrugën.

Në Sheshin “Wilson” kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi hodhi dyshime mbi identitetin e efektivëve të policisë që ishin pa numër identifikimi.

Zonat ku protestoi opozita përfshinë edhe Bashkinë e Tiranës, rrethrrotullimin e “Zogut të Zi”, Rrugën e Elbasanit, Sheshin “Wilson” dhe “Pallatin me shigjeta”. Dhjetëra protestues u shoqëruan nëpër komisariatet e policisë ndërsa atyre që humbën ndjenjat iu dha ndihma e parë mjekësore.

Opozita ka kërkuar krijimin e një qeverie teknike para zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen pranverën e vitit të ardhshëm.

Klan News